E Diel, 1 Nëntor 2026

Nesër përfundon riparimi i linjës Vau i Dejës-Lezhë

 

Nesër pritet të përfundojnë punimet për riparimin e linjës së transmetimit 220 kV Vau i Dejës-Lezhë. Kështu janë shprehur dje burime pranë OST-së. Kjo linjë u dëmtua pak ditë më parë si pasojë e motit të keq. Sipas OST, deri më tani brigadat e riparimit të avarive kanë ngritur shtatë shtylla të tensionit të lartë, ndërsa po punohet për ngritjen e shtyllës së fundit dhe shtrirjen e telave. Me riparimin e linjës Vau i Dejës-Lezhë, të gjitha linjat e transmetimit të energjisë elektrike do të jenë në punë. Nga dëmtimi i kësaj linje, në disa qytete të vendit nisën të aplikoheshin kufizime të energjisë elektrike. Por me riparimin e kësaj linje pritet të përfundojnë edhe ndërprerjet e energjisë. Ndërkohë, sipas të dhënave më të fundit nga KESH, konsumi i energjisë është goxha i lartë, gati 22.9 milionë kilovat orë në ditë. Nga kjo sasi energjie, 14.7 milionë kilovat orë është prodhim vendas ndërsa pjesa tjetër e kërkesës për energji plotësohet nga importi. Kapacitet importuese pritet të rriten ndjeshëm pas përfundimit të linjës së interkonjeksioni me Podgoricën. Linja e interkonjeksioni 400 kV Elbasan-Podgoricë do të përfundojë në fund të vitit 2009. Deri tani në linjën Tiranë-Podgoricë janë vendosur 190 bazamente shtyllash, nga rreth 320 gjithsej, ndërsa janë ngritur mbi 60 shtylla dhe në proces janë 30 të tjera. Punimet po vazhdojnë edhe në segmentin Tiranë -Elbasan, një linjë më e shkurtër se Tiranë-Podgoricë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›