E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishinger: Integrimi i Serbisë kushtëzohet nga Kosova

Në një intervistë për BBC-në, Ishinger theksoi se autoritetet serbe janë të njohura me këtë kushtëzim, duke nënvizuar se ka një pranim të përgjithshëm për zgjidhjen e problemit të Kosovës në procesin e avancimit të bisedimeve për anëtarësim të Serbisë. Megjithatë, Ishinger tha se pret që në një të ardhme të afërt Prishtina e Beogradi të fillojnë diskutimet për gjetjen e një rruge, siç e quajti ai, praktike për një bashkëjetesë pa ngritur çështjet fundamentale.

Ishinger rikujtoi se gjermanët janë përballur me të njëjtën situatë gjatë viteve 60-70, kur Gjermania ishte e ndarë, dhe Perëndimorja kishte një pikëpamje tjetër për kombin gjerman nga Lindorja, qëndrime të papajtueshme.

"E njëjtë sikurse pikëpamja sot e Beogradit që është e papajtueshme me pikëpamjen e Prishtinës për statusin e Kosovës", theksoi Ishinger.

Sipas mendimit të tij, shembujt në historinë e re mund të jenë modele të dobishme se si të tejkalohen dallimet e këtilla me hapa praktikë të cilët me kohë do të çojnë drejt zgjidhjes.

"Në një periudhë afatgjatë edhe Serbia, edhe Kosova do të futen në BE dhe në atë moment të gjitha diskutimet për atë se kush ka pronësinë mbi cilën pjesë të territorit do të jenë shumë më jorelevante sesa sot", theksoi Ishinger.

Ndërkaq, sa i përket gjendjes në veriun e Kosovës që mund të shndërrohet në konflikt të ngrirë, Ishinger shpreson që kjo të mos ndodhë. Ai beson se është një "pikëpamje dominuese" në BE, por edhe në NATO se territori i Kosovës, "do të mbetet territor i Kosovës, pra, një territor nën një qeveri dhe se nuk jemi të interesuar që të kemi një situatë të posaçme në veriun e Kosovës".                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›