Ishinger nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”

Në një ceremoni solemne, të hënën Universiteti i Prishtinës i ka dhënë titullin “Doctor Honoris Causa”, diplomatit gjerman, që ishte i përfshirë në bisedimet për statusin e Kosovës, Volfgang Ishinger, me motivacion për kontributin e jashtëzakonshëm në avancimin e shtetësie së Kosovës në arenën ndërkombëtare, për mbështetjen e vazhdueshme për njohjen dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, për përpjekjet e pareshtura në marrëdhëniet Kosovë-Gjermani në arsim, kulturë, ekonomi dhe politikë.
Me këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova ka thënë se Universiteti i Prishtinës dhe populli i Kosovës në veçanti, i është mirënjohës ambasadorit Ishinger për rolin dhe kontributin që ka dhënë në bisedimet lidhur me statusin final të Kosovës, që si rezultat sot kemi edhe shtetin e pavarur dhe lirinë që po e gëzojmë.
“Nderojmë njeriun që dha kontributin e madh për pavarësinë e Kosovës, dhe i cili me vullnetin dhe përkushtimin e madh kontribuoi edhe në njohjen dhe avancimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, ngritjen dhe afirmimin e shtetit të Kosovës, si dhe forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Republikë Federale gjermane”, ka thënë Rugova.
Kurs, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Volfgang Ishinger, pas marrjes së titullit “Doctor Honoris Causa”, ka inkurajuar profesorët, studentët dhe institucionet e Kosovës për punën që janë duke e bërë, siç tha ai drejt një edukimi të mirëfilltë kulturor për gjeneratat që do vijnë.
“Mendoj se Bashkimi Evropian ka vepruar mirë shumë vite më parë, duke hapur perspektiven për anëtarësim të vendeve të këtij rajoni në BE. Jam i kënaqur që Kosova ka perspektivë të qartë si shtet i pavarur, si anëtarë i ardhshëm i BE-së të zgjeruar. Është më rëndësi që këtu në Prishtinë, po ashtu edhe në Beograd, është e njohur se anëtarësimi në BE kërkon paqe në mes anëtareve, dhe është shumë e rëndësishme që bisedimet, të cilat fatmirësisht kanë filluar në mes Beogradit dhe Prishtinës, të shkojnë drejt një marrëveshjeje që do t’u mundësonte qytetareve të Kosovës të udhëheqin jetën e tyre në paqe, gjithashtu qytetaret në Serbi të bëjnë të njëjtën gjë në harmoni dhe bashkëpunim”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja u ndal te jeta dhe veprimtaria e ambasadorit Ishinger, por edhe te aktiviteti i tij për pavarësinë dhe ndërtimin e Kosovës si shtet.
Ndryshe diplomati gjerman Volfgang Ishinger, ishte pjesë e Grupit të Kontaktit të BE-së për Kosovën, që njihej si treshja, ku pjesë e grupit ishin edhe Frank Visner dhe Aleksandër Harçebko, të cilat bisedime kryesisht u zhvilluan në Vjenë.
Ndryshe, çmimi “Doctor Honoris Causa” u është dhënë shumë personaliteteve të mëdha të botës që ndihmuan Kosovën si dhe personalieve të kombit tonë, për kontributin e dhënë në çështjen kombëtare, por edhe në shkencë.