E Diel, 1 Nëntor 2026

Svoboda: Para BE-së, Serbia të zgjidhë problemet me Kosovën

PRISHTINE- “Serbia duhet të zgjidhe problemet me Kosovën, përpara se të mund të anëtaresohet në Bashkimin Europian.” Ka qenë kjo deklarata e bërë një ditë më parë nga eurodeputeti dhe kryetari i Grupit të Social-Demokratëve në Parlamentin Evropian, Hanes Svoboda.

Ai i ka bëre thirrje Beogradit të ndryshojë qasjen ndaj Prishtinës dhe të tregojë më shumë përkushtim në zgjidhjen e problemeve me palën kosovare. E ardhmja e të dyja vendeve dhe e rajonit në tërësi, sipas tij, do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian - proces i cili, siç tha ai, “nuk do të mund të finalizohet nëse Prishtina e Beogradi nuk i përmirësojnë raportet ndërmjet vete, e nëse vendet e rajonit nuk i përmbushin kriteret e nevojshme.” Në një debat me temën “Evropa mes teje dhe meje”, i cili u mbajt të shtunën në Prishtinë, Svoboda tha se zgjidhjet për shumë probleme që shteti serb ka me Kosovën, mund të gjenden në kuadër të dialogut aktual ndërmjet palëve.

Eurodeputeti austriak e cilësoi “të paqëndrueshme” deklaratën e kryeministrit serb, Mirko Cvetkovic, sipas së cilit, pranimi i Kosovës nuk është dhe nuk mund të jetë kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Modeli i Tirolit Jugor, sipas Svobodës, mund të jetë një zgjidhje eventuale për problemin rreth veriut të Mitrovicës. Megjithatë, eurodeputeti austriak hodhi poshtë idenë e ndarjes së Kosovës.

Zbatimi i kësaj ideje, sipas tij, do të mund të prodhonte efektin domino edhe në Maqedoni, Bosnjë dhe në vende të tjera të rajonit. Svoboda theksoi se e ardhmja e tërë rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian. Svoboda shtoi se përmbushja e kritereve do ta percaktojë kohën, në të cilën Kosova do të jetë e gatshme të hyjë në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në. Në këtë drejtim, eurodeputeti theksoi domosdoshmërinë që kosovarët të mos i keqpërdorin vizat duke kerkuar azil ne shtetet evropiane, që Prishtina zyrtare të riatdhesojë qytetarët e saj që ende jetojnë në BE.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›