Ishmi i Kodrës, projekt për sit turistik
Përvjetori
Përkujtohet në 4-vjetorin e vdekjes, piktori i madh, Ibrahim Kodra
“është primitivi i një qytetërimi të ri”, kështu e pat cilësuar Paul Eluard (në gazetën “Unità” të vitit të largët 1946) piktorin shqiptar, Ibrahim Kodrën. Për Pikason e madh edhe firma e Kodrës ishte një vepër arti... Ibrahim Kodra, i cili ndërroi jetë plot katër vite më parë më 7 shkurt të vitit 2006 do të nderohet nesër në një ceremoni e cila do të zhvillohet në Ishëm të Durrësit, në vendlindjen e piktorit ku prehet edhe trupi i tij. Ceremonia e cila do të zhvillohet paraditen e sotme (ora 11:00) si një nismë e Qarkut të Durrësit mes të ftuarve të tjerë do të marrë pjesë edhe kryetari i qarkut, Seit Kertusha, si dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj. Gjatë këtij aktiviteti, ministri Xhaferraj do të bëjë me dije si dhe do të shprehë mbështetjen e tij për një projekt-propozim të Qarkut të Durrësit, sipas të cilit Ishmi, vendlindja e Ibrahim Kodrës, të kthehet në një sit të vizitueshëm, duke gërshetuar aty turizmin, kulturën dhe trashëgiminë. Mjeshtri i madh i pikturës, dhe qytetari shqiptar i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”, fillimisht u edukua në shkollën teknike të Harry Fulzit dhe ndoqi kurset e vizatimit në shkollën e parë të vizatimit në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në “Brera” të Milanos. Në vitin 1943 ekspozoi për herë të parë dhe në 1944 hapi studion e tij. Më pas deri në vitin 2006 ai përuroi shumë ekspozita dhe ka dhënë qindra intervista, ku u shpreh qartë për artin e tij, për Shqipërinë dhe për Kosovën, të cilat nuk i ndante nga njëra-tjetra. Rreth artit dhe personalitetit të tij në Itali, Shqipëri, Kosovë dhe disa vende të Europës dhe botës janë shkruar me qindra artikuj dhe janë dhënë pafund mendime dhe vlerësime. Janë shkruar disa libra, janë botuar dhjetëra katalogë dhe antologji më punimet e tij. Janë realizuar disa filma dokumentarë me autorë italianë, shqiptarë dhe kosovarë. Janë dhënë çmime në emër të tij. Më 1980, qyteti Positano e shpalli “Qytetar Nderi”. Në çdo vit të jetës së tij ai ka hapur ekspozita në vende të ndryshme të botës që nga: Italia, Franca, Gjermania, Rusia SHBA, Australi, Brazil, Argjentinë etj. Gjatë këtyre ekspozimeve ka fituar dhe është nderuar më shumë çmime. Trupi i piktorit, prehet në një kodër të Ishmit në Durrës. Amaneti i tij i fundit ishte që trupi t’i prehej në dheun e tij.
#