E Diel, 1 Nëntor 2026

Në selinë rozë, aty ku askush nuk do të tërhiqet

Reportazh
Atmosfera në selinë e partisë kryesore të opozitës në prag të negociatave

Në prag të negociatave në Presidencë, socialistët duken të qetë.Gjithkush që mund të mendojë se tani, kur i është hapur rruga negociatave, në PS po “bëhet nami”, gabohet. Janë po të njëjtët njerëz që hyjnë e dalin, deputetë e sekretarë, militantë e mbështetës, njerëz që kalojnë aty rastësisht e gjithashtu mjaft gazetarë. Por, kjo nuk e mohon faktin se në katin e dytë të selisë ndërtohet deri në detaj ajo se çfarë do të thuhet në tryezën me kreun e shtetit. Sakaq, në kafenenë ngjitur, të gjitha këto detaje, të vërteta apo të pavërteta, të parashikuara apo të hamendësuara tirren e stërhollohen me të njëjtin vullnet, deri në detaj. Veçse nga ajo që thuhet në katin e dytë apo në të tretë ku ndodhen zyrat e kryetarit të partisë, aktorit kryesor të këtyre negociatave, numrit dy të partisë Gramoz Ruçi apo sekretarëve me peshë në parti, zor se artikulohet njësoj tek kafja ngjitur. Askush nuk dëshiron që PS të tërhiqet. Zërat optimistë të bëjnë të besosh se Rama ka për t’ia dalë, ndërsa ata jo shumë besues, duke njohur më shumë Berishën, mbeten skeptikë e presin çdo ndodhë për të thirrur më pas “fitore”. Ka edhe ata që besojnë se pa protesta nuk shkohet gjëkundi. Tema kryesore vërtitet rreth krizës politike, si mund të zgjidhet e çfarë mund të ndodhë. Dikush në kafen e partisë ka kohë edhe të analizojë komentet e personazheve të caktuara ndërkombëtare. Herë pas here bisedat vërtiten mbi të tjera tema e personazhe. Dje, në kafenenë e PS flitej gjerë e gjatë për intervistën e ish-kryetarit të saj, Fatos Nano. Shumë prej atyre që pinë kafenë e mëngjesit e madje edhe të drekës prej vitesh afër selisë, komentojnë të thënat e vërteta apo të pavërteta në intervistën e tij. Askush nuk e beson se Fatos Nano ka shkuar në radhën e qumështit, ndërsa ndonjë i pranishëm në momentet që përshkruante ish-kryetari pohon ose shton më shumë detaje rreth ngjarjes. Nga Rama te Blushi, nga Blushi te Nano, me biseda të kujdesshme e me zë të lartë arrin të kuptosh lehtë se çfarë i shqetëson socialistët. Ndarja më e fundit në selinë rozë, ajo e grupit që mbështet Ramën dhe e grupit që mbështet Blushin është një nga ato bisedat që nuk marrin fund kurrë. “E pe atë ditë, ia numëroi Andrea tëk e tëk e tëk Blushit”, dëgjon një mbështetëse të PS-së t’i thotë shoqes. Të gjitha këto ndodhin nën sytë e gazetarëve, e sidomos ata që qëndrojnë një pjesë të mirë të kohës në po të njëjtin vend. Herë pas here, edhe këtyre të fundit u bie të ndeshen me komente apo pakënaqësi, por edhe përshëndetje si nga deputetët e drejtuesit por edhe nga militantët. Me të tilla biseda e debate nis e ngrys dita në Partinë Socialistë, në korridore e në zyra, aty ku hyjnë e dalin me dhjetëra njerëz.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›