Kartat e identitetit. Kryetarët e njësive bashkiake: Koha, e pamjaftueshme për listën e zgjedhësve
Emanuela Sako
Kartat e identitetit janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e procesit zgjedhor dhe përfundimin e listave të zgjedhësve. Kryetarët e minibashkive në Tiranë shprehen se nuk kanë kohë për t’i realizuar të gjitha procedurat brenda afateve ligjore përsa u përket listave të zgjedhësve. Ilir Kokona, kryetari i Njësisë Nr. 3, u shpreh se KQZ-ja duhet të veprojë shpejt pasi listat paraprake të zgjedhësve duhet të shpallen më 1 mars, edhe pse afati i parë ka kaluar, pasi ato duhet të shpalleshin më 29 janar, në bazë të Kodit Zgjedhor. Për zgjedhësit që nuk kanë një adresë të saktë të vendbanimit të tyre do të ngrihen qendra të posaçme votimi. “Kohë të plotë nuk kemi, megjithatë do të punohet shumë. Doli e domosdoshme se u pa që kishte dublime të emrave të qytetarëve, regjistri kombëtar i nxjerr pastër dublimet dhe ato do të pastroheshin”, - u shpreh Kokona. Një çështje tjetër që kërkon zgjidhje është dhe kategoria e personave me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit, të cilët nuk kanë pasaportë, por që duhet të aplikojnë brenda datës 30 mars për karta identiteti.
Kartat
Procesi për shpërndarjen e kartave të identitetit ende nuk ka filluar në njësitë bashkiake, megjithëse printimi i tyre ka nisur një javë më parë. Ndërkohë qytetarët vazhdojnë të aplikojnë, ndërsa ata që kanë përfunduar procedurat e aplikimit drejtohen pranë njësive për të pyetur se kur do t’i marrin kartat e identitetit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë hasur në problemin e dublimit të emrave. Një ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, deklaroi se regjistri është i pastruar nga dublikimet. Sipas të dhënave paraprake, në zgjedhjet e ardhshme do të marrin pjesë rreth 3 milionë e 133 mijë e 248 zgjedhës.
Procesi
Teliti deklaroi se lista e zgjedhësve do të jetë gati së shpejti. Kështu, për zhvillimin e rregullt të procesit të kartave të identitetit, është përcaktuar lista përfundimtare me emrat e qytetarëve. Njëkohësisht, ka dalë dhe regjistri i plotë me numrin e popullsisë së vendit, ku numërohen rreth 4 milionë e 300 persona, ku në votime pretendohet të marrin pjesë rreth 3 milionë persona. Aktualisht, njësitë bashkiake kanë identifikuar çdo banor që nuk është pajisur me pasaportë dhe do t’u dorëzohet formulari për ta plotësuar. Më pas, ata do të njoftohen nga njësia përkatëse për të kryer aplikimin brenda këtij muaji. Burime nga njësitë vendore pohojnë se numri i qytetarëve që nuk disponojnë pasaporta është i lartë dhe pajisja me letërnjoftim është e domosdoshme. Burime nga Ministria e Brendshme sqarojnë se statistikat tregojnë se aktualisht në vendin tonë ka rreth 730 mijë persona që nuk disponojnë pasaporta.
13 Shkurt 2009