E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, qarkullimi i automjeteve pa probleme në zonat e prekura nga dëbora



Kukës - Megjithëse reshjet e borës nuk kanë të sosur në rrethin e Kukësit, rruga për kalimin e automjeteve është e lirë. Autoritetet vendore të këtij rrethi shprehen se janë marrë të gjitha masat për lëvizjen e njerëzve për në zonat e tjera.
Drejtori Rajonal i Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve në Kukës, Rushit Gashi, tregon se reshjet e borës kanë vazhduar me të njëjtin intensitet edhe gjatë ditës së djeshme, por masat për zhbllokimin e rrugëve janë marrë. Sipas tij, si rrjedhojë e reshjeve në orët e natës ka pasur rënie të materialeve inerte në aksin rrugor Kukës - Qafë Shllak, në afërsi të Kalimashit, rreth 15 kilometra larg qytetit të Kukësit, apo në aksin rrugor Kukës - Shishtavec. Por çdo problem është eliminuar brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë, në zonat e thella të këtij rrethi trashësia e dëborës ka arritur në mbi 30 centimetra, gjë që ka sjellë bllokimin e disa fshatrave të thella, si në Komunën e Arrnit.

Elbasan Banka Botërore, 15 milionë lekë për shoqatat në mbrojtje të pyjeve

Banka Botërore përkrah shoqatat në mbrojtje të pyjeve, duke u akorduar një fond të posaçëm. Një fond prej 15 milionë lekësh është akorduar nga Banka Botërore për 15 shoqata të pyjeve në komunat e rrethit të Elbasanit në kuadër të projektit të “Zhvillimit të burimeve natyrore”. Drejtori Rajonal i Pyjeve dhe Kullotave, Haxhi Murati, deklaroi se ky fond do të shërbejë për mbjelljen e akacieve, lisit me farë, si dhe në përmirësimin e pyjeve, pritave malore, rezervuarëve të vegjël, në shërbim të kafshëve të egra ose bagëtive. Kështu, të gjitha komunat mund të hartojnë paketa për miniprojekte të ndryshme në parcelat pyjore komunale. Me vendim të Qeverisë shqiptare për transferimin e pyjeve dhe kullotave pushtetit vendor, tashmë 25 000 hektarë pyje dhe kullota janë nën administrimin e Drejtorisë Rajonale të Pyjeve dhe Kullotave dhe 25 mijë hektarë i kanë kaluar pushtetit lokal.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›