E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishte ndërtuar në pronë publike, nis shembja e pallatit 12-katësh



Inspektorati i Përgjithshëm i Ndërtimit ka nisur prishjen e një pallati 12-katësh, i cili është ndërtuar në mënyrë abuzive në hapësirën publike të kryeqytetit. Një fadromë ka nisur në pasditen e djeshme të shembë dy katet e para e ndërtesës, ndërkohë që prishja e tij do të vazhdojë edhe ditën e sotme.

Pallati ishte në pronësi të Ilir Matës, i cili ishte një ndër emrat e parë të publikuar nga Kryeministri i vendit Sali Berisha, si përfitues i disa mijërave metrave katrorë ndërtim në Tiranë. Ndërkohë që Mata është gjithashtu edhe kunati i deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza.

Sipas burimeve nga Inspektorati i Përgjithshëm i Ndërtimit, do të shembet e gjithë ndërtesa 12-katëshe, e cila është ndërtuar në pronë publike. Gjithashtu, godina ka cenuar hapësirën mes objekteve si dhe nuk është në përputhje me planin urbanistik dhe është pa leje. Operacioni i Policisë Ndërtimore do të vazhdojë edhe ditën e sotme.

Aksioni

Rreth orës 17:00 të ditës së djeshme, një fadromë e Inspektoratit të Përgjithshëm të Policisë Ndërtimore ka nisur që të shembë dy katet e para të godinës 12-katëshe, prapa hotel “Tiranës”. Brenda në godinë nuk ka pasur banorë, ndërkohë që janë shembur një pjesë e mureve të jashtme të saj. Fadroma ka punuar për disa kohë, ndërkohë që më pas i ka ndërprerë punimet, pasi ka mbaruar së shemburi katet e para të godinës. Sipas vendimit të marrë, e gjithë godina 12-katëshe do të shembet, pasi ajo është ndërtuar pa leje në një hapësirë publike. Aksioni do të vazhdojë edhe ditën e sotme deri në prishjen përfundimtare të ndërtesës. Gjatë aksionit të Policisë Ndërtimore, kanë qenë edhe dhjetëra forca të policisë së rendit. Sipas burimeve, policia e kryeqytetit ka zbatuar vendimin e dhënë për prishjen e ndërtesës, pasi ajo është ngritur pa leje. Ndërkohë që nuk ka pasur asnjë incident midis uniformave blu gjatë aksionit të nisur nga Policia Ndërtimore.

Reagimi i deputetit të PS-së, Shalsi

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi, ka reaguar pas ndërhyrjes së Inspektoratit të Lartë të Ndërtimit në pallatin në pronësi të kunatit të deputetit Dashamir Peza. Ai e ka quajtur këtë ndërhyrje si të paligjshme.

“Nuk do të lejojmë këtë njeri që të cenojë biznesin privat, ashtu sikundër e dhunoi atë sot. Për ironi të fatit, godina që ai goditi, ishte hipotekuar nga zyra e tij e regjistrimit të pasurive, ndërkohë që ai derdhi gjithë mllefin kundër një objekti të ligjshëm dhe imagjinoni se çfarë mund të bëjë ky njeri që nuk njeh institucionet”, - u shpreh deputeti i PS-së. Sipas Shalsit, mjafton të shikohet dokumentacioni i plotë dhe do të vërehet që gjithçka është bërë sipas ligjit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›