Ministri Tafaj; Studentët italianë, në universitetet shqiptare
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, takoi nënsekretarin italian të Shtetit për Arsimin, z. Giuseppe Pizza. Gjatë takimit, ministri Tafaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë, si dhe mbështetjen e Italisë për sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Duke folur për reformat e ministrisë që drejton, ministri Tafaj theksoi se nevoja për arsimim të lartë është e madhe në Shqipëri dhe se numri e përqindja e studentëve që studiojnë në Itali, është relativisht e lartë. Ministri Tafaj tha gjithashtu se MASH dhe të gjitha universitetet shqiptare janë shumë të interesuar për bashkëpunime me qeverinë italiane në fushën e arsimit, duke i cilësuar si mjaft të favorshme kushtet e universiteteve shqiptare për të mirëpritur studentët italianë. “Ne si MASH inkurajojmë studentët italianë të bashkëpunojnë me universitetet tona, sidomos në nivelet Master dhe Doktoraturë për të zhvilluar kërkimin shkencor”. Nga ana e tij, nënsekretari italian i Shtetit për Arsimin, z. Giuseppe Pizza, falënderoi ministrin Tafaj për mikpritjen, duke cilësuar se me reformat e deritanishme, Italia e sheh Shqipërinë si një vend të Bashkimit Evropian dhe qeveria italiane mbështet plotësisht hyrjen e vendit tonë në strukturat e BE-së. Z. Pizza siguroi ministrin Tafaj për bashkëpunimin e qeverisë italiane me qeverinë shqiptare, në veçanti në fushën e arsimit, duke bërë të njohur me këtë rast edhe mundësitë e krijimit të një komisioni të përbashkët për fushat e kompetencës, si shkollat, universitetet dhe kërkimin shkencor, në mënyrë që ky bashkëpunim të mund të çohet më përpara në mënyrë më eficiente.