Ishujt Senkaku, rikthehet tensioni Kinë-Japoni

Tri anije luftarake kineze hynë mëngjesin e së dielës në territorin e diskutuar përreth ishujve Senkaku, një incident që rrezikon të rikthejë tensionet në Azi midis Kinës dhe Japonisë.
Ishujt, të cilët Japonia i konsideron si territor të sajin, pretendim që refuzohet nga Pekini, ndodhen në një zonë pothuajse të baraslarguar midis dy shteteve dhe për to ka pretendime edhe Tajvani.
Pjesë përbërëse e Japonisë në bazë të disa traktateve të pa ratifikuara ndërkombëtare, grupi i ishujve Senkaku, përreth të cilit u zbuluan së fundmi rezerva nafte nënujore, u blenë gjatë vitit 2012 prej Tokios nga pronari i tyre i ligjshëm.
Një veprim i tillë ngjalli tërbimin e Pekinit, i cili njoftoi se nuk do të njohë sovranitetin japonez dhe protestoi ndaj blerjes, duke e cilësuar si një incident të rrezikshëm në përvetësimin e territoreve në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, raporton TCH.
Sipas informacioneve, këtë të diel anijet kineze hynë brenda ujërave territoriale, të shtrirë në 12 milje përreth ishujve.
Në shenjë proteste, Tokio veproi duke thirrur urgjentisht ambasadorin kinez në Japoni për t’i shprehur një notë proteste Pekinit zyrtar./Indeksonline/