“Shtëpia e madhe” e Kosovës hapet më 1 prill, në garë edhe Kastro
Shpërngulja e Kastro Zizos në Kosovë, me të vërtetë nuk ka qenë shumë rastësore për kantautorin, direkt pas ndarjes nga bashkëshortja. I njohur për natyrën e tij aventuriere, dhe që do të provojë gjithçka, Kastro kësaj here nuk i ka thënë “jo” ofertës për të qenë pjesë e garës VIP, një show i emërtuar “Shtëpia e madhe”, që do të nisë transmetimin më 1 Prill, në RTV21. Bëhet fjalë për një garë të fortë dhe që ka shfaqur shumë kuriozitet, pasi në këtë lojë “reality show”, nuk janë përsonazhe të panjohur, por personazhe VIP nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Oferta për të qenë pjesë e këtij spektakli u është bërë të gjithë VIP-ave që pëlqehen nga publiku, përfshirë këtu këngëtarë, humoristë, aktorë, por shumë prej tyre kanë hezituar të marrin pjesë. Deri tani përveç Big Mamës, janë zbuluar emra të të njohur në fushën e show-bizz-it. Kështu në “Shtëpinë e madhe” të Kosovës kanë pranuar të hyjnë, Nora Istrefi me të fejuarin Robert Berisha, muzikant me profesion dhe shumë i njohur në rrethet artistike të Prishtinës. Po ashtu pjesë e lojës do të jenë moderatori i RTV21, Labinot Gashi, grupi i humoristëve “Stupcat”, këngëtarët Meda, Albërie Hadërgjonaj, Gjyste Vulaj dhe Rezarta Shkurta. Organizatorët u kishin bërë ofertë dhe dy këngëtareve Soni Malaj dhe Genta Ismajli, të cilat kanë refuzuar për faktin se i kanë hyre një gare tjetër VIP-ash në Tiranë, asaj të kërcimit në spektaklin e regjisores Vera Grabocka, “Dancing with the stars”.