Islami: Berisha ka futur diplomacinë në krizë
Intervista/ Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, shprehet se diplomacia shqiptare është jofunksionale
Ish-ministri i Jashtëm socialist, Kastriot Islami, e vlerëson katastrofike situatën e politikës së jashtme të Shqipërisë, sidomos në aspektin e përfaqësimit diplomatik. Gjatë analizës që i bën kësaj situate, ai gjykon se thelbi i gjithë krizës në këtë fushë, ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve mes ekzekutivit dhe Presidencës, ku natyrisht përgjegjës bën Kryeministrin Sali Berisha, duke e cilësuar atë si njeriun që kërkon të ketë gjithçka.
Z. Islami, në një moment kur diplomacia shqiptare, për shkak edhe të çështjes së Kosovës, duhet të jetë tepër aktive, Shqipëria vijon të ketë mungesa të mëdha ambasadorësh në një sërë shtetesh të rëndësishme. Si do ta vlerësonit këtë situatë?
Kjo situatë është e jashtëzakonshme, bile mund ta konsideroja katastrofike. Natyrisht, po të kemi parasysh nevojën për të pasur ambasador në Kosovë, në një periudhë kur diplomacia e Republikës së Shqipërisë duhet të ishte aktive për implementimin e pavarësisë dhe kur ka një aktivizim në drejtim të kundërt. Por jo vetëm në Kosovë, por edhe në kryeqytet të rëndësishme europiane si, Gjermania e Spanja, apo qendra të rëndësishme si Rusia, anëtare e Këshillit të Sigurimit, Egjipti, qendër e lobimit për vendet e konferencës islamike, dhe deri tek vende me peshë si Japonia e India. Ju duhet të dini, gjithashtu, se në Komisionin e Politikës së Jashtme ka kaluar edhe kandidatura e Ferit Hoxhës për drejtues të misionit të Shqipërisë në OKB, Nju Jork, dhe ajo është pezull, ndërkohë që ambasadori, paraprakisht i lavdëruar në shkallë sipërore dhe më tej i ndëshkuar për shkak të një zënke me drejtues të lartë të qeverisjes aktuale, ndonëse u mor vendimi i çuditshëm për t’u zëvendësuar, qëndron “pezull” si ambasador. Dhe dihet rëndësia që ka prania e këtij ambasadori në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryesisht gjatë këtyre kohëve, për çështjen e Kosovës. Dhe duhet të kemi parasysh se diplomacia nuk është funksionale, jo vetëm për çështjen e Kosovës, por edhe për të realizuar objektivat e interesat e vendit tonë. Kjo qeverisje, edhe në fushën e marrëdhënieve me jashtë shfaqet demagogjike, nga njëra merr vendime për hapje ambasadash dhe shton buxhetin dhe, nga ana tjetër, zvogëlon në realitet prezencën e ambasadorëve në vende të rëndësishme. Për më tepër, jepet një mesazh mosserioziteti dhe prekjeje të rëndë të parimit të reciprocitetit, sidomos atje ku ambasadori ynë mungon dhe vendi përkatës është prezent e aktiv me misionin e tij diplomatik, siç ndodh me Gjermaninë, Spanjën apo Federatën e Rusisë. Kjo situatë tregon, gjithashtu, se politika e jashtme është demagogjike dhe tallet me punonjësit e shërbimit me jashtë dhe në realitet nuk ka nevojë për diplomacinë, sepse ajo, deri tani, ose ka zhvilluar politikë të jashtme tërësisht individësh, ose kryesisht është mbështetur në individë me afilacion politik të qartë.
Më problematike duket situata në rastin e Kosovës, ku edhe pse kandidatura Islam Laukës ka kaluar në Komisionin e Jashtëm, ende ne jemi pa ambasador. Si qëndron e vërteta lidhur me këtë kandidaturë, pse nuk emërohet?
Kjo kandidaturë ka kaluar pa probleme në Komisionin e Politikës së Jashtme. Me tej ka një mungesë të plotë transparence përse është bllokuar emërimi i tij. Qarkullojnë të gjithë llojet e thashethemeve, që vijnë nga të gjithë institucionet e implikuar në emërimin e një ambasadori. Me shumë gjasa, marrëdhëniet e munguara dhe të acaruara midis drejtuesve të ekzekutivit, dhe më konkretisht Kryeministrit dhe Presidentit, janë shkaku kryesor i kësaj situate. Por, në thelb të kësaj situate duket të ketë arsye, ndoshta të lidhura edhe me probleme që shoqërojnë kandidaturën. Sidoqoftë, problemi nuk duhet individualizuar, për më tepër që duhet pasur kujdes, qoftë në planin njerëzor, qoftë në atë të funksionalitetit të një diplomati.
Ju përmendët më lart se jemi pa ambasador edhe në një sërë shtetesh të tjera me reputacion në arenën ndërkombëtare apo atë rajonale, si Rusi, Indi, Japoni, Gjermani, Spanjë, Egjipt, etj. Sa ndikon kjo situatë në njohjen që duhet t’i bëjnë vendet e tjera pavarësisë së Kosovës. Po për marrëdhëniet tona bilaterale me këto shtete?
E thashë edhe pak më sipër. Me këto vende, po të shtohet edhe rasti i Nju Jorkut, mund të shtoj se situata është e turpshme gjithashtu. Shqiptarët që nuk merren me marrëdhëniet me jashtë, nuk e kuptojnë dhe nuk e ndjejnë rëndësinë e korrektësisë në marrëdhëniet me të huajt. Çdo veprim, qëndrim apo deklarim, depozitohet, analizohet dhe arkivohet. Të gjitha vendet janë shumë seriozë dhe sistematikë në marrëdhëniet me jashtë. Asgjë nuk kalon me indiferentizëm, siç ndodh në jetën tonë të përditshme. Dhe nga kjo analizë, që vazhdon me ditë, me muaj, me vite, me dekada dhe deri me shekuj, profilizohen vendi ynë, njerëzit tanë, sjelljet tona, qëndrimet tona, synimet tona, aftësitë tona qeverisëse, kapacitetet, e tjerë, e tjerë. Imagjinoni që në vendin më të rëndësishëm të Europës, në Gjermani, nuk ka ambasador, ndërkohë që Gjermania është shumë aktive në Shqipëri. Kjo mungesë reciprociteti është pafalshme. Po kështu me Spanjën. Rusia, aktualisht zhvillon një diplomaci superaktive në nivel global dhe Shqipëria nuk është as modestisht prezente në Moskë, është e paimagjinueshme. E po kështu me Japoninë apo Indinë, që kjo qeveri mori vendimin e drejtë për të hapur përfaqësi diplomatike. Natyrisht, pa harruar as Egjiptin, qendër e rëndësishme dhe me lidhje tradicionale. Marrëdhëniet bilaterale janë inekzistente me këto vende kur mungon ambasadori; është shumë e vështirë të realizohet një nivel i lartë kontaktesh në këto vende kur përfaqësohesh me nivelin e një personi, qoftë i kualifikuar diplomatikisht, që nuk ka statusin apo gradën e ambasadorit. Në vendet serioze, edhe ambasadori i Shqipërisë e ka të vështirë të sigurojë takime me nivelet e larta, kurse për të tjerët as që bëhet fjalë. Situata, njëkohësisht është edhe qesharake.
Pse ka ardhur ky boshllëk?
Kjo qeveri nuk është serioze dhe luan lojën e demagogjisë. Kjo qeveri, në më shumë se 60-70 për qind të rasteve, ka emëruar si ambasadorë persona jo të karrierës, kryesisht bazuar në militantizmin politik dhe njohjet personale të Kryeministrit, apo në ndonjë rast si shpërblim favoresh për personazhe apo grupime të ndryshme në qeverisjen aktuale. Në nivelet e dyta nëpër ambasada, emërimet janë krejtësisht në kundërshtim me ligjin e shërbimit me jashtë, shumë që kishin qenë jashtë vendit, aq sa në Ministrinë e Jashtme quhen “diplomatë-emigrantë”. Pra sistemi i karrierës është dëmtuar rëndë në sistemin e shërbimit me jashtë. Ligji i shërbimit me jashtë dhe i shërbimit civil janë shkelur haptas. Në mënyrë hileqare kanë nxjerrë një vendim të Këshillit të Ministrave për të lejuar rimarrjen e statusit të shërbimit civil e për t’u kthyer në shërbimin e jashtëm, i cili është krejtësisht në shkelje të hapur me ligjin e shërbimit me jashtë, i cili është miratuar në Kuvend, në konsesusin e plotë në Kuvend. Kjo situatë lidhet me marrëdhëniet e acaruara midis Kryeministrit dhe Presidentit dhe mungesën e dialogut midis numrit një dhe numrit dy të shtetit. A e kuptoni sa e rëndë është kjo situatë, aq më tepër që bëhet fjalë për numri një të PD-së dhe ish-numrin dy, po të PD-së. Dhe përgjegjësia e faji kryesor është tek Kryeministri, i cili synon të imponojë dhe uzurpojë gjithçka që lidhet me emërimet në pozicionet shtetërore. Ky fakt tregon se synimet nuk janë vetëm me natyrë partiake, por ato shtrihen deri në nepotike e personale, duke menduar në mënyrë naive se, me emërimin e një ambasadori, do të përcaktohet fati politik individual. Ju kam shpjeguar se emërimi i një ambasadori jo të karrierës, të paaftë diplomatikisht, thjesht militant klientelist dhe të lidhur ngushtë vetëm me Kryeministrin, veçse dëmton vendin, sistemin e karrierës në shërbimin me jashtë, por edhe dëmton rëndë edhe vetë Kryeministrin. Duhet të keni parasysh se, për shembull, Misioni i SHBA-së në Tiranë ka punonjës në Tiranë sa kanë të gjithë 50 misionet e Shqipërisë në të gjithë botën, dhe buxheti total i misionit të SHBA-së në Tiranë është sa katërfishi i buxhetit të 50 misioneve diplomatike të Shqipërisë të marra së bashku. Shtoj këtu edhe aftësitë dhe performancën e ambasadorit dhe të diplomatëve të Misionit Amerikan në Tiranë dhe krahasoje këtë situatë me një ambasadë 30-40 herë më të vogël në buxhet e njerëz, dhe me një ambasador jashtë karrierës (nuk kam asgjë me individin apo kapacitetet e tij në mjekësi) që drejton ambasadën tonë në Uashington. Si do të mundet ky ambasador të “mbrojë” Kryeministrin, meqë është thjesht emëruar si militant dhe klientelist i vetë Berishës, ndërkohë që administrata në Departamentin e Shtetit është on-line me misionin e saj në Tiranë, që është në madhësi sa ç’është e gjithë Kryeministria dhe punon me një performancë 50 herë më të lartë se ajo e Kryeministrisë, sepse me punën e misionit tonë në Uashington, as që mund të krahasohet. E vetmja gjë që mund të bëjë Shqipëria është të emërojë një ambasador të karrierës, që t’i tregohet SHBA-së se edhe Shqipëria, në mënyrë modeste, respekton parimet e shtetit demokratik, respekton ligjin e shërbimit civil dhe të shërbimit me jashtë. Vetëm kaq.
Mosdekretimi i ambasadorëve të rinj i është faturuar konfliktit mes Presidentit dhe Kryeministrit për emrat e propozuar nga Kuvendi. Ju si do t’i klasifikonit këto kandidatura që kanë shkuar në zyrën e Presidentit?
Nuk merrem individualisht me kandidaturat. Ka midis tyre diplomatë të karrierës që kanë marrë gjithnjë mbështetjen tonë. Të tjerat janë personazhe të vlerësuar më shumë politikisht nga Kryeministri dhe nuk mund të futemi në cilësitë e tyre personale. E vërteta është se ndonjë prej tyre ka pasur qëndrime të qarta politike, ndoshta ndonjëherë jo shumë të përshtatshme për një diplomat të nivelit të lartë. Ne kemi qenë të shqetësuar se, ndërkohë që ligji i shërbimit me jashtë parashikon vetëm deri në 20 për qind të emërimeve jo të karrierës, kjo shifër ka shkuar deri në 60-70 për qind. Unë flas juridikisht dhe nuk futem në vlerësime të karakterit moral apo individual. Ligji i shërbimit me jashtë është shkelur rëndë, qoftë në emërimet e ambasadorëve gjatë këtyre katër viteve, qoftë në largimin e ish-ambasadorëve, edhe për këtë kategori nuk orientohem të bëj mbrojtje politike, por thjesht e shtroj problemin juridikisht. Një rast është flagrant (i kërkoj të falur ambasadorit Bushati, sepse kjo gjë mund të ketë impakt negativ ndaj tij) është ai i ambasadorit Bushati. Zoti Bushati, ambasador në SHBA dhe në Beograd në periudhën e fundit, diplomat me karrierë të tillë që meriton juridikisht gradën ambasador, është degdisur në një cep të Ministrisë së Jashtme, deri tani vonë si referent i thjeshtë që mbulon Serbinë, detyrë që u jepet kryesisht diplomatëve në fillimet e karrierës së tyre. Kjo situatë mund të konsiderohet edhe dramatike.
Prej tre vitesh Komisioni i Jashtëm ka pasur shumë ankesa për emërimet politike në përfaqësitë diplomatike, ndërsa emrat e propozuar kanë qenë demek të fushës së diplomacisë. Sa është ruajtur raporti mes emërimeve diplomatike dhe atyre politike?
E thashë pak më sipër, është shkelur rëndë ligji i shërbimit me jashtë. Përsëris se, ndërkohë që nuk duhet të ketë më shumë se 20 për qind ambasadorë që duhet të vijnë nga jashtë sistemit, dhe mbi 80 për qind duhet të jenë diplomatë të karrierës në kuptimin juridik, situata është krejtësisht e përmbysur. Mbi 60-70 për qind janë persona që, ose vijnë nga sistemi jashtë shërbimit me jashtë, ose edhe kur janë përzgjedhur nga brenda shërbimit me jashtë, janë me gradë shumë larg gradës ambasador apo afër tij. Fatkeqësisht, media nuk është marrë seriozisht me situatën e rëndë në shërbimin me jashtë, ndonëse opozita e ka ngritur këtë problem pothuajse gjithnjë. Natyrisht edhe me kujdesin përkatës, sepse ky shërbim është nën vëzhgimin edhe të të gjithë partnerëve tanë, dhe dëmtimet e imazhit të tij janë me pasoja afatgjata. Por situata është e rëndë. Imagjino që bëhet vizitë e nivelit të lartë në Spanjë, ku ambasadori është larguar dhe ai rikthehet pasi ka bërë takimet e lamtumirës. Ndërkohë që ministri i Jashtëm bën vizitën e parë në Indi dhe atje nuk ka ambasador, ndërkohë që misioni është hapur. Dhe paradoksi më i madh është se merren vendime për shtim misionesh, shtohet buxheti i Ministrisë së Jashtme, dhe ambasadat funksionojnë pa ambasadorë, me ambasadorë militantë, me “diplomatë-emigrantë”, pra performanca vetëm vazhdon të ulet.
Për situatën:
“Kjo situatë është e jashtëzakonshme, bile mund ta konsideroja katastrofike. Natyrisht, po të kemi parasysh nevojën për të pasur ambasador në Kosovë, në një periudhë kur diplomacia e Republikës së Shqipërisë duhet të ishte aktive për implementimin e pavarësisë dhe kur ka një aktivizim në drejtim të kundërt”
Për diplomacinë
“Kjo qeverisje, edhe në fushën e marrëdhënieve me jashtë, shfaqet demagogjike, nga njëra merr vendime për hapje ambasadash dhe shton buxhetin, dhe nga ana tjetër zvogëlon në realitet prezencën e ambasadorëve në vende të rëndësishme”
Për Laukën:
“Kjo kandidaturë ka kaluar pa probleme në Komisionin e Politikës së Jashtme. Me tej ka një mungesë të plotë transparence përse është bllokuar emërimi i tij. Me shumë gjasa, marrëdhëniet e munguara dhe të acaruara midis drejtuesve të ekzekutivit, dhe më konkretisht Kryeministrit dhe Presidentit, janë shkaku kryesor i kësaj situate”
Për emërimet:
“Kjo qeveri, në më shumë se 60-70 për qind të rasteve ka emëruar si ambasadorë persona jo të karrierës, kryesisht bazuar në militantizmin politik dhe njohjet personale të Kryeministrit, apo në ndonjë rast si shpërblim favoresh për personazhe apo grupime të ndryshme në qeverisjen aktuale. Në nivelet e dyta nëpër ambasada, emërimet janë krejtësisht në kundërshtim me ligjin e shërbimit me jashtë, shumë që kishin qenë jashtë vendit, aq sa në Ministrinë e Jashtme quhen “diplomatë-emigrantë”
Për krizën:
“Kjo situatë lidhet me marrëdhëniet e acaruara midis Kryeministrit dhe Presidentit dhe mungesën e dialogut midis numrit një dhe numrit dy të shtetit. A e kuptoni sa e rëndë është kjo situatë, aq më tepër që bëhet fjalë për numri një të PD-së dhe ish-numrin dy, po të PD-së. Dhe përgjegjësia e faji kryesor është tek Kryeministri, i cili synon të imponojë dhe uzurpojë gjithçka që lidhet me emërimet në pozicionet shtetërore”
Për buxhetin:
“Duhet të keni parasysh se, për shembull, Misioni i SHBA-së në Tiranë ka punonjës në Tiranë sa kanë të gjithë 50 misionet e Shqipërisë në të gjithë botën, dhe buxheti total i Misionit të SHBA-së në Tiranë është sa katërfishi i buxhetit të 50 misioneve diplomatike të Shqipërisë të marra së bashku”