E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratët e Lezhës kryqëzojnë Zogajn

Deputeti Preç Zogaj ka akuzuar OSSH-në e Lezhës se është kthyer në një fole antidemokrate dhe korrupsioni

Pas Tropojës, edhe demokratët e Lezhës janë përfshirë në debate mes tyre. Shkak kësaj radhe është bërë lufta për më shumë influencë mes të zgjedhurve në Kuvendin e Shqipërisë dhe drejtuesve të institucioneve vendore. Një fenomen i tillë është vënë re dje gjatë mbledhjes së drejtorëve të drejtorive të Qarkut Lezhë me deputetët demokratë të zonës, ku dhe është marrë në analizë veprimtaria e këtyre drejtorive për vitin që po mbyllet. Kësaj radhe kanë qenë drejtoritë e qarkut ato që kanë dalë në mbështetje të strukturave të PD-së, dega Lezhë, kundër deputetit Preç Zogaj, të cilat e kanë akuzuar këtë fundit se ka tejkaluar kompetencat e tij si i zgjedhur në Kuvend, duke marrë rolin e një shefi kuadri për qarkun e Lezhës.

Mbledhja

Mbledhja ka filluar e qetë dhe normale me kritika dhe përgjegjësi për punën e kryer nga drejtoritë e ndryshme. Gjithçka është ndezur kur deputeti Zogaj, i cili kryesonte këtë takim, ka filluar edhe njëherë debatin e tij me OSSH-në (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes) njësia Lezhë, duke akuzuar drejtuesit e saj për korrupsion dhe largime nga puna të demokratëve. Deputeti Zogaj nuk ka nguruar ta quaj këtë degë të OSSH-së, si folenë antidemokrate. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të PD-së Lezhë, Pal Trashaj, i cili i ka kërkuar deputetit që kritikat t’i bëjë të bazuara në fakte konkrete, dhe jo me inate personale, pasi kjo lloj situate nuk u shërben të djathtëve, kur në prag janë zgjedhjet e përgjithshme. Gjithashtu, ai i ka rikujtuar edhe njëherë Zogajt se duhej të kishte reaguar kur shumë demokratë u larguan nga puna në Drejtorinë e Bordit të Kullimit dhe asaj të Sigurimeve Shoqërore nga drejtuesit e tyre, të cilët, sipas tij u dëbuan nga puna sepse ngritën zërin kundër korrupsionit. Por, Trashaj nuk është mjaftuar vetëm me kaq, por ka shfrytëzuar rastin për t’i thënë deputetit Zogaj se nuk ka ndërhyrë edhe në rastet kur shumë tendera u dhanë pa kriter nga këto drejtori, vetëm për interesa klienteliste.

Debati

Kaq ka mjaftuar që mbledhja të dalë jashtë kontrollit, ku debatet kanë degjeneruar në fyerje dhe sharje personale mes palëve, ku në qendër të tyre ka qenë deputeti Zogaj. Kështu, drejtoresha e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive Lezhë, Lule Zeneli, ka replikuar ashpër me deputetin Zogaj, duke prurë në vëmendje se deputeti i zonës nuk ka reaguar ndaj të gjitha vërejtjeve dhe ankesave që ka bërë kjo drejtori për emërimet jo profesionale, pa arsimin përkatës dhe pa kriter, që po bëhen nga njerëz jashtë këtij institucioni. Për të eliminuar këtë fakt, i ka kërkuar deputetit që të mos influencojë në emërimet e këtyre punonjësve, sepse ata nuk u përgjigjen në asnjë rast kërkesave të komunitetit. Ajo ka bërë të ditur se këto fakte janë depozituar edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave, ndërsa reagimi nuk ka ardhur asnjëherë, pasi këta persona mbrohen nga deputeti Zogaj, i cili sipas saj kërkon të përforcojë pozitat e tij, duke anashkaluar qëllimin e përbashkët që kanë në misionin e tyre. Në debat është përfshirë edhe drejtori i Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për këtë qark, Gjergj Ivanaj, i cili i ka konsideruar si të vonuara këto mbledhje, duke kujtuar se do të ishte më pozitive që ato të ishin më të shpeshta për të qenë më të konsoliduar dhe më të pranishëm. Edhe ai ka sulmuar deputetin Zogaj, duke prurë në vëmendje se strukturat e Partisë Demokratike në Lezhë janë mënjanuar. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe drejtori i zyrës së Punës, Nikoll Ndreca, i cili ka kërkuar një reflektim më të madh ndaj të djathtëve. Shumë drejtues të institucioneve në Lezhë i kanë kërkuar deputetit Zogaj që të heqë duart nga ndërhyrjet për arsye personale, dhe t’i lejojë që të kryejnë detyrën dhe funksionin që ata ushtrojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›