Islami: Edi Rama, i paaftë në politikë - i ka humbur të gjitha betejat

Ish-deputeti i PS analizon situatën në selinë rozë dhe pritshmëritë elektorale të 23 qershorit
Ish deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, deputet i përjashtuar nga PS ka deklaruar ne emisionin “360 Grade” të gazetarit Artur Zheji, se Edi Rama, kreu i PS-së është i paaftë në politikë dhe i ka humbur të gjitha betejat. Në analizën e Islamit, Rama nuk fiton i vetëm në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërsa këmbëngul se një qëndrim të tillë e ka pohuar edhe në vitin 2009-ë. “Rama nuk ka background legal, të bësh verën duhet dhe shishja dhe vera dhe etiketa. Ai është vetëm për etiketën. Ai për shkak të paaftësisë së tij dhe mediokritetit thotë se nuk më intereson programi. Ai thotë nuk më duhet asgjë, nuk ka formim diplomatik, nuk ka formim të politikës rajonale. Ka një libër në Amerikë, ‘aftësia e të paaftëve’. Ai ka disa aftësi të të paaftëve për të bërë këtë që ka bërë. Ai po nënshtron Partinë Socialiste me klientelë dhe nuk po fiton asnjë beteje, i ka humbur të gjitha betejat”- tha Islami.
Ndërkohë që sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ka theksuar se e vetmja herë kur Rama fitoi, ishte në kohen kur PS ishte një parti e strukturuar dhe funksiononte si mekanizëm demokratik. Pyetjes se Zhejit, nëse Rama i fiton dot i vetëm zgjedhjet, Luan Rama i përgjigjet: “Mendoj që nuk i fiton dot zgjedhjet pa LSI”. “Ai ka fituar zgjedhjet në bashkinë e Tiranës në disa raunde se ka pasur një parti të strukturuar që punonte e vepronte si mekanizëm demokratik ku njerëzit kishin aftësitë të shfaqnin asetin, në momentin që ky aset u tkurr dhe u fut nën ngërçin e partitokracisë së një elite e importuar i humb baza për mbështetjen e zgjedhjeve”- tha Luan Rama.