“Plani urbanistik po sulmohet politikisht nga ish-Kryebashkiaku Rama, që për 11 vite nuk e realizoi”
Reagon publikisht Bashkia Tiranë, pas akuzave të kasnecit të Edvinit
Bashkia e Tiranës përmes një reagimi zyrtar ka shprehur keqardhjen lidhur me tendencën e vazhdueshme të ish- Kryebashkiakut Edi Rama, për të sulmuar politikisht planin urbanistik të Tiranës. “Për të disatën herë, z. Rama dhe z. Lame kanë përcjellë tek qytetarët deklarime të pavërteta rreth planit urbanistik. Ky plan u hartua në transparencë të plotë dhe me përfshirjen e ekspertëve më të mirë, pjesë e të cilëve ka qene edhe zoti Lame. Qëllimi i sulmit me prapavijë tërësisht politike ndaj këtij plani, synon thjesht dhe vetëm mbulimin e dështimit të mosbërjes së tij nga ish - kryebashkiaku Rama, për 11 vjet. Plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës, jo vetëm nuk cënon hapësirat e gjelbra por parashikon shtimin e tyre’, thuhet në deklaratën e bashkisë së kryeqytetit. Dje, anëtari i Asamblesë Socialiste, Artan Lame, në selinë e PS kritikoi planin urbanistik të Tiranës, i cili u miratua në fundjavë në Këshillin Kombëtar të Territorit. Ndërkaq plani urbanistik i Tiranës i miratuar në KRRTRSH parashikon Tiranën policentrike, Tirana me 13 qendra, të cilat ofrojnë shumëllojshmëri të shërbimeve, të ngjashme me qendrën e tanishme të Tiranës. Tirana e gjelbër, Tirana me më shumë gjelbërim parashikohet 4.2 metër katrorë gjelbërim për frymë, nga 0.8 që është sot. Plani i Përgjithshëm Vendor propozon krijimin në qytet të 40 territoreve të reja të ose 340 hektarë hapësira të gjelbra dhe të 14 territoreve të reja sportive, krahas atyre ekzistuese. Po kështu, Plani i Përgjithshëm Rregullues i Tiranës parashikon krijimin e parqeve të përbashkëta rajonale mes Tiranës dhe komunave përreth, si Farka Paskuqani. Tirana do të ketë një sistem rrugor unazor, ku përveç unazës ekzistuese do të ndërtohen edhe katër unaza të tjera. Këto do të ndihmojnë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut brenda Tiranës dhe trafikut që lidh Tiranën me zonën metropolitane. Plani i përgjithshëm vendor parashikon ndërtimin e një terminali të transportit intermodal, së bashku me rivendosjen e Stacionit të Trenit të Tiranës; zhvillimin e linjave të tramit përveç sistemit të autobusëve. Po kështu, në planin e përgjithshëm vendor parashikohet ndërtimi i 11 parkimeve publike, të vendosura kryesisht në qendër të qytetit.