E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: “Interesi i PS-së, proporcionali rajonal”

Bashkëkryetari për reformën zgjedhore shpreh qëndrimin për sistemin
Shaban Sulçe

Bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Zgjedhore ka deklaruar preferencën e Partisë Socialiste për përzgjedhjen e sistemit proporcional rajonal në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Deklarimi i sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PSSH, Kastriot Islami, u bë gjatë zhvillimit të seminarit trajnues organizuar nga Fondacioni “Qemal Stafa” në bashkëpunim me Partinë Socialiste të Holandës si dhe Fondacionin “Alfred Mozer” për përgatitjen e strukturave të PSSH-së për organizimin e ardhshëm zgjedhor. Duke u fokusuar konkretisht te sistemi zgjedhor, Islami deklaroi: Njëkohësisht, sistemi, me sa duket edhe nga artikulimet e ndryshme të partive politike, që kanë bërë gjatë gjithë kësaj kohe në prezencë edhe të ekspertizës më të mirë të komisionit të Venecias, Këshillit të Europës dhe të ekspertizës së një prej institucioneve më të rëndësishme, siç është ODIHR, bëhet fjalë për një sistem elektoral nga familja e proporcionalit. Pak a shumë, me sa kuptoj nga analiza e deritanishme, bëhet fjalë për t’iu afruar një sistemi proporcional rajonal”, - tha Islami, i cili tha se përveç këtij varianti të proporcionalit, janë diskutuar edhe sistemit proporcional i personalizuar, proporcional të proporcuar dhe proporcional me shkallë kombëtare. Deputeti socialist konfirmoi qëndrimin kundërshtues ndaj propozimit të partive të vogla për përzgjedhjen e modelit gjerman të zgjedhjeve. “Është sistemi propocional i personalizuar apo i individualizuar, në këtë nënfamilje bën pjesë sistemi gjerman, kjo nuk do të thotë që ne do të marrim sistemin gjerman, por në këtë nënfamilje bën pjesë sistemi gjerman”, - u shpreh Islami.
Zonat elektorale
Islami tha se përzgjedhja e sistemit proporcional rajonal duhet të pasohet nga ruajtja e zonave aktuale elektorale. “Është rënë nga komunikimi, por jo përfundimtar, që do të përdoret ndarja administrative aktuale. Kjo do ta bënte më të lehtë diskutimin, sepse po të bëhej një ndarje e re, shtrohet gjithnjë problemi i përcaktimit të kufijve të zonave elektorale, që duhet të kenë një numër afërsisht të barabartë votuesish, ndërkohë që po të përdoret ndarja administrative aktuale ky diskutim eliminohet. Pra, e bën më të lehtë ndarjen e zonave elektorale në përputhje me atë administrative”, - vijoi ai.
Listat e kandidatëve
Islami konfirmoi se proporcionali rajonal ezauron edhe përdorimin e listave, të cilat duhet të jenë të mbyllura. “Momenti i dytë, që unë besoj është i ezauruar, është ai i listave të mbyllura apo i votës preferenciale. Nuk bëhet fjalë më për lista të hapura apo lista të mbyllura. Bëhet fjalë për lista të mbyllura dhe i votës preferenciale. Ka një artikulim të ndryshëm nga partitë kryesore në favor të listave të mbyllura dhe nga një pjesë tjetër për votën preferenciale, diskutim që mbetet i hapur për të shkuar drejt një vendimmarrjeje”, - vijoi bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Proporcionalit rajonal

Nëse në vendin tonë zgjidhet një sistem proporcional rajonal, vështirësia qëndron në faktin se ai ka pak shanse të jetë me listë të hapur. Kjo për faktin se një listë e hapur e komplikon shumë procesin e votimit, procesin e numërimit, si dhe rrit ndjeshëm përqindjen e votave të pavlefshme. Në tërësi, proporcionali rajonal me listë të hapur nuk ofron garanci për një proces të rregullt zgjedhor. Sa më i madh të jetë numri i rajoneve, ose sa më i ulët të jetë numri i deputetëve që zgjidhen për rajon, aq më e vështirë është për partitë e vogla që të përfaqësohen në Kuvend. Nëse Kuvendi shqiptar do të ketë 100 deputetë, të cilët do zgjidheshin nga 20 rajone, pra 5 deputete për rajon, atëherë një partie politike në një rajon të caktuar i duhen 20 % të votave për të fituar një deputet. Nëse bëhet fjalë për 10 rajone me nga 10 deputetë secili, atëherë kjo përqindje bëhet 10%. Praktikisht, i bie që pragu elektoral për t’u futur në parlament është 20%, kurse në rastin e dytë 10%. Praktikisht kjo do të thotë eliminim tërësor i partive të vogla nga skena politike. Proporcionali rajonal mbart probleme dhe sa i përket aspektit qeverisës, pasi rrezikon të prodhojë rajonalizim të qeverisjes. Kjo do të thotë se në Parlament dhe në qeveri të theksohen nuancat rajonale apo krahinore, që janë të dëmshme për qeverisjen në përgjithësi.

Proporcional i pastër

Sistemi proporcional eliminon hendekun mes përqindjes së votave që partitë marrin në votimin e përgjithshëm dhe përqindjes së vendeve në parlament.
Një sistem proporcional krijon mundësinë që partitë e vogla, më saktë partitë nga partia e tretë e me radhë, të mund të mbijetojnë dhe të jenë në Kuvend pjesë e mozaikut pluralist.
Sistemi proporcional sjell një shpërndarje të baraspeshuar të vendeve në Kuvend. Me këtë sistem eliminohet teorikisht mundësia që një parti e vetme të fitojë 2/3, apo 3/5 e vendeve në Kuvend.
Proporcionali sfumon dallimet Veri-Jug, ku PD-ja dominon në Veri dhe PS-ja në Jug. Në Kuvend kanë mundësi të përfaqësohen si demokratët në Vlorë, ashtu dhe socialistët në Shkodër.
Votimi proporcional me një raund thjeshtëzon votimin. Duke eliminuar kandidatët direkt, zbutet fushata në bazë.
Lista proporcionale krijon mundësinë e një Kuvendi, në përbërje të të cilit janë deputetë shumë më kualitativë.
Partitë e mëdha në kushtet e sistemit proporcional nuk janë të detyruar për koalicione paraelektorale me parti të vogla. Sistemi proporcional krijon kushte për koalicione paselektorale, mbi bazën e rezultateve elektorale të subjekteve.

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›