E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami KiE kerkon nje reforme te kujdesshme zgjedhore

Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, ishte i pari që reagoi ndaj raportit të Këshillit të Europës, mbi zgjedhjet lokale të 8 majit.

Në intervistën dhënë për të përditshmen “Panorama”, ligjvënësi socialist thotë se çështja kryesore që lidhet me zgjedhjet e fundit ishte ajo e leximit të fletës së votimit, të cilat gabimisht ishin hedhur nga zgjedhësit në kutitë jo respektive.

“Në raport përshkruhet deri në detaje e gjithë saga e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Dy janë çështjet, që sipas raportuesve kanë qenë në qendër të këtij debati: 1) a duhen numëruar fletët e hedhura në kutitë e gabuara dhe 2) a është kompetente KQZ-ja për të urdhëruar numërimin e këtyre votave. Për këtë rast, disa nga momentet kryesore të këtij raportimi janë: i) KQZ “kishte ndryshuar qëndrim lidhur me vlefshmërinë e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara”, ii) vendimet e KQZ kanë qenë të politizuara sipas linjave partiake ; iii) Kodi Zgjedhor jep një listë shteruese kur vota konsiderohet e pavlefshme, dhe iv) vendimet e Kolegjit Zgjedhor ishin të paanshme dhe të mbështetura në standardet europiane”

Deputeti Kastriot Islami, lidhur me ata politikanë që mendojnë ndryshe nga krerët partiakë, thotë se Këshilli i Europës kërkon që mendimi ndryshe të mos vlerësohet tradhti.

“Edhe për çudinë time, ka diçka që nuk është shkruar në këto 20 vjet në raportet e KiE-së. Konkretisht thuhet se ‘ngërçi politik ka vënë në dukje nevojën për të përmirësuar demokracinë e brendshme të partive”. Dhe raportuesit shtojnë se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që partitë të pranojnë mendimin ndryshe dhe opinionet e disidentëve, pa i paraqitur ata si tradhtarë të çështjes së partisë”. Dhe shtojnë se “ne kemi synim të ndjekim çështjen e demokracisë së brendshme në kuadër të procedurave të monitorimit të KiE-s”.

Deputeti Kastriot Islami shprehet se bashkëraportuesit vënë theksin në reformë të kujdesshme zgjedhore, në mënyrë të veçantë në raport me partitë e vogla.

Po ashtu, kërkohet që politika shqiptare të bashkëpunojë me Komisionin e Venecias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›