E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Të nisë sa më parë, puna për Reformën Zgjedhore

Presidenti Bamir Topi, ka kërkuar nisjen sa më parë të punës për Reformën Zgjedhore, për të rifituar kohën e humbur. Në takimin e zhvilluar me ekipin e eksepertëve të misionit të OSBE/ODIHR, presidenti ka vlerësuar konstruktiv rolin e këtij misioni në vendin tonë.

Si presidenti Topi, ashtu edhe kryetari i Misionit të Vëzhguesve, Xhonatan Stonestreet kanë ndarë të njëjtin mendim se në procesin e reformës zgjedhore duhen përfshirë dhe marrë parasysh edhe mendimet e sa më shumë partive dhe aktorëve politikë, përfaqësuesve të administratës zgjedhore, shoqërisë civile, në mënyrë që të rikthehet e të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në institucionin e votës.

Në fjalën e tij, presidenti Topi vuri në dukje se klasa politike shqiptare dhe institucionet e larta të shtetit kanë lexuar me vëmendje rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i dhe janë bashkuar në përfundimin se, kryerja e reformës zgjedhore është një domosdoshmëri dhe një proces për realizimin me sukses të së cilit duhet patjetër rifillimi sa më parë i punës.

“Ky fakt thekson edhe një herë nevojën imediate që palët e përfshira në këtë proces, partitë politike e të gjithë aktorët institucionalë, të gjejnë rrugët e komunikimit në mënyrë që të mundësohet një bashkëpunim konstruktiv dhe i përgjegjshëm për të rifituar kohën e humbur dhe për të finalizuar këtë reformë, e cila do i garantojë qytetarëve dhe votuesve shqiptarë zgjedhje të lira, të ndershme dhe sipas standardet demokratike”, u shpreh presidenti.
 

Nga ana e tij, Stonestreet falënderoi presidentin për këtë takim duke çmuar rolin ekuilibrues të Kreut të Shtetit si simbol i unitetit të popullit, dhe në vijim vuri në dukje nevojën e nisjes sa më parë nga puna të reformës zgjedhore ku OSBE/ODIHR-it do të ofrojë jo vetëm rekomandimet dhe vërejtjet e veta, por edhe ndihmesën e përvojën e vet të efektshme.

Po ashtu ai theksoi se ky proces reformimi ligjor duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës, në mënyrë që gabimet dhe të metat e vëna re gjatë zgjedhjeve të shkuara, të mos përsëriten më duke rritur nivelin e demokracisë shqiptare dhe institucionit të zgjedhjeve.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›