E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli priti nje perfaqesi te Federates se Grave te Kines

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot në takim një përfaqësi të Federatës Mbarëkombëtare të Grave të Kinës, kryesuar nga zv/presidentja, Song Xiuyan.

Në këtë takim të pranishme ishin edhe gra personalitete shqiptare, të artit, kulturës, e fushave të tjera, anëtare të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaski”.

Xiuyan, duke falënderuar Kryetaren e Kuvendit për mikpritjen tha se kjo vizitë, përkon me festën kineze të bashkimit të familjes.

“Kjo simbolikë, - tha ajo, - është shumë domethënëse në marrëdhëniet miqësore tradicionale mes dy vendeve dhe dy popujve. Ne jemi fqinj edhe pse jemi larg gjeografikisht.”

Kryetarja e Kuvendit i uroi mikeve nga Kina mirëseardhjen, duke vlerësuar rolin e gruas në Kinë ashtu si në mbarë botën, si një rol shumë të rëndësishëm si në familje, ashtu edhe në shoqëri.

“Çdo grua, në Shqipëri, në Kinë, kudo, ka një dimension të veçantë, ka një dimension shumë të bukur. Secila prej grave është një kalorëse në fushën e saj, Çdo grua përfaqëson një histori suksesi. Çdo grua e suksesshme është inspiruese në sy të grave të tjera.

Kjo vizitë e juaja është një shenjë shumë njerëzore e afrimitetit mes dy vendeve. Raportet tona politike janë të shkëlqyera, raportet ekonomike në rritje dhe unë do kisha shumë dëshirë që raportet njerëzore, veçanërisht mes grave të hapnin një kapitull të ri në bashkëpunimin mes dy popujve tanë miq.

Xinyan e cila në pozicionin e saj përfaqëson rreth 640 milion gra të Kinës, tha se bashkëpunimi mes grave, që përfaqësojnë gjysmën e popullsisë është jo vetëm i domosdoshëm por një nxitje për marrëdhënie edhe më të forta mes vendeve.

Xiuyan i përcolli kryetares së Kuvendit përshëndetjet e nënkryetares së Asamblesë Popullore të Kinës, ndërsa nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit tha se do të priste me kënaqësi një vizitë të nënkryetares së Asamblesë kineze në një vizitë të afërt në Shqipëri.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›