E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, pritet ngritja e komisionit parlamentar

19-09-2011 / Gazeta 55

Bylykbashi – Gumi dhe Gjiknuri – Hysi do të paraqesin modalitetet e reformës zgjedhore

Pak ditë më parë edhe Partia Demokratike zyrtarizmi negociatorët demokratë për reformën zgjedhore, ndërsa çështja aktuale mbetet nisja e takimeve periodike. Përfaqësues politik nga të dy kampet shprehen se gjatë kësaj jave pritet të hidhen hapat e parë konkret në këtë drejtim, ku përfaqësuesit e të dyja palëve do të ulen për të nisur formalisht nga puna. Dakordësia socialiste për të vijuar në mënyrë të mëvetësishme punën për reformën zgjedhore nga çështjet e tjera që kanë të bëjnë me integrimin dëshmon se zgjedhjet mbeten në çdo rrethanë prioritare. Socialistët kanë hedhur në tregun politik dhe atë mediatik propozimet e para që do i korrespondojnë propozimeve për ligjin e ri elektoral.
Në një prononcim të tij përfaqësuesi socialist, Damian Gjiknuri, foli për nevojën e rishikimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, qoftë sa i përket formulës së kompozimit dhe anëtarësisë, listat e zgjedhësve dhe identifikimi i tyre, si dhe nevoja për ndërhyrje në sistemin zgjedhor aktual. Të tria këto propozime vijnë konform rekomandimeve të raportit të OSBE-ODIHR-it, që dhanë edhe vlerësimin për zgjedhjet pak javë më parë. Megjithatë, detajet specifike që lidhen me angazhimin politik të PD dhe PS, lidhur me propozimet përkatëse të të dy forcave politike, do të dalin në dritë gjatë ditëve në vijim, kur edhe takimet në tryezën e partive politike të kenë marrë përmasat e një bashkëpunimi serioz dhe eficent.
I rëndësishëm mbetet edhe fakti se, me gjithë klimën e krijuar dhe premtimin për të marrë në konsideratë edhe çështjet e sistemit elektoral, të dyja partitë kanë pranuar që të administrojnë procesin sërish sipas formulës bipartizane, duke shmangur nga vendimmarrja formacionet e tjera politike. Nëse në kampin e shumicës për këtë gjë, ende nuk ka zëra kundër apo pretendime për përjashtim, selia rozë do të duhet që ditën e martë të konsultojë edhe problemet zgjedhore me aleatët e vet në mbledhjen e parë zyrtare të tryezës së përbashkët.
Mbetet ende e paqartë nëse partitë e vogla që përbëjnë së bashku me PS-në koalicionin opozitar do të japin sugjerimet e tyre, por fakt është se një ndryshim në sistem nuk lë asnjë subjekt indiferent. Praktika është e njohu dhe komentet për të janë të tepërta. Partia Socialiste, vendimet në funksion të të gjitha forcave politike, i konsideron të rëndësisë së lartë dhe si të tilla, s’bën gjë tjetër veçse neutralizon çdo subjekt tjetër politik nga mundësia e ndërhyrjes me propozime dhe amendamente politike për ligjin elektoral. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›