Ftesa e Patozit për Ruçin: “Të nisim bashkëpunimin”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, iu drejtua javën e kaluar me një letër homologut të tij, Gramoz Ruci, ku e njoftonte zyrtarisht për vendimin e selisë blu, në mandatimin e ekspertëve zgjedhorë Oerd Bylykbashi dhe Viktor Gumi, për hulumtimin e modaliteteve të reformës së ardhshme zgjedhore.
Në letrën e tij, Patozi vlerëson se “një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 8 majit në Shqipëri, është koha më e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013”.
“Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt”.
Partia Socialiste ka emëruar Damian Gjiknurin dhe Vasilika Hysin, si të ngarkuar për të nisur kontaktet me përfaqësuesit e mazhorancës për reformën zgjedhore. Por bashkë me emrat e të ngarkuarve nga Partia Demokratike, Patozi i kërkon Ruçit që të dy palët t’i drejtohen me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që të asistojnë të gjithë procesin e reformës.
“Do të ishte në interesin e të dy palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore në të gjitha etapat e tij”.