Manjani: Pasuritë e grupit të Ramës 100 milionë euro
Anëtari i Asamblesë Socialiste, Ylli Manjani, nuk ka kursyer ironinë ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ndërsa i ka konsideruar fjalimet e tij si ato të Enver Hoxhës. Sipas Manjanit, nuk mund të flasësh për idetë noliane kur fton në Kongres parti që kanë qenë me Zogun. Rama e nisi fjalën e tij si Fan Noli, por e mbaroi si Enver Hoxha. Në këtë Kongres, ku zoti Rama vendosi të bëhej me Nolin kishte ftuar dhe ca parti që kanë qenë me Zogun, kështu që nuk e di me cilin është zoti Rama, - tha ai. Ndërsa i konsideroi si tërësisht false deklaratat e kryesocialistit Rama për krizën ekonomike, në të cilën sipas tij, është zhytur vendi. Manjani ka pohuar se nuk mund të flasin për bukën e gojës deputetë që nga deklarimi i pasurive të tyre kanë të kapitalizuara rreth 100 milionë euro. U çudita shumë që zoti Rama dhe oligarkia qenkan keq, na qenkan duke vdekur për bukë, sepse unë pres që në fund të këtij muaji vetëm nga deklarimi i pasurisë së deputetëve të zotit Rama, minimumi i parave fluide ose të kapitalizuara duhet të jenë diku te 100 milionë euro dhe unë nuk e di se kush është ciniku dhe kush është i varfri në këtë vend, - tha ai. Prandaj, - shtoi Manjani, - zoti Rama ka shumë kriza për të zgjidhur, ka shumë probleme për të zgjidhur, një nga problemet është identiteti politik. Për fatin e keq, sipas tij, socialistët vazhdojnë të mashtrohen nga një demagog si zoti Rama. Unë e kam thënë dhe vazhdoj të jem i bindur që një ditë PS do ti fitojë zgjedhjet, por atë ditë është mriz, të mos jetë zoti Rama vërdallë, sepse ajo fitore nuk do të jetë më e socialistëve, por do të jetë e oligarkisë. Ky është problemi që duhet të zgjidhë PS dhe zoti Rama sot, - ka deklaruar Manjani gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste.