E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: PS të kthehet në Kuvend për integrimin

14/11/2009  Kërkesa e LMN

“Lëvizja për mendimin ndryshe” i bëri thirrje sërish opozitës të heqë dorë nga bojkoti dhe të kthehet në Parlament, në emër të integrimit në BE. Deputeti i PS-së, njëkohësisht përfaqësues i kësaj lëvizjeje, Kastriot Islami, vlerësoi se kundërshtarët e Ramës nuk do të dalin kundër qëndrimit të shumicës dhe nuk do të hyjnë në parlament pa miratimin e saj. “Ky apel vjen pas një mbledhje të ambasadorëve të 27 vendeve të Bashkimit Europian, të cilët kanë deklaruar vendimin që do të merret në mbledhjen e radhës së Këshillit të Europës, të ministrave të Jashtëm, për t’i dhënë të drejtën Këshillit të Europës të fillojë negociatat me Shqipërinë, për t’i dhënë asaj statusin e kandidates”, vuri në dukje Islami. Nga ana tjetër, deputeti socialist shprehet pro hapjes së kutive, por kundër bojkotit në këto momente kaq të rëndësishme për vendin, kur të gjithë po i drejtojnë opozitës të njëjtën thirrje: të kthehet në Parlament. “Apeli që i bëj Partisë Socialiste vjen pasi kjo parti ka dhënë kontribut në 8 vjet. Ajo e ka filluar procesin për integrimin në BE, prandaj le të vazhdojë të jetë ende prezente kur ky proces të finalizohet”, nënvizoi Islami. Ndërkohë që një mesazh i tillë u përcoll dy ditë më parë dhe nga deputetët socialistë Arben Malaj e Marko Bello, pjesë e kësaj lëvizjeje, të cilët nënvizuan dhe një herë tjetër faktin se Partia Socialiste duhet të jetë në Parlament, për të marrë pjesë në sfidat integruese të vendit. Sipas tyre, tashmë ka ardhur momenti që PS-ja të jetë pjesë e institucioneve dhe të japë kontributin e saj për proceset e integrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›