E Diel, 1 Nëntor 2026

Presioni i mandateve, PS sheh mundësinë e hyrjes në Kuvend

14/11/2009  Shpresa te Gjykata Kushtetuese për hapjen e kutive

Pas betimit në Kuvend, Rama synon të vijojë sërish bojkotin

Rreziku i humbjes së mandateve, por edhe presioni i brendshëm dhe i jashtëm ndaj bojkotit, e ka detyruar kreun e PS-së të marrë parasysh mundësinë e hyrjes në Kuvend me sa më pak kosto. Kështu socialistët do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese, e kësaj radhe për kërkesën e tyre mbi hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit. Me shpresën se ky institucion do të shprehet mbi këtë çështje, kampi rozë pritet të hedhë një tjetër hap në zhvillimet brenda radhëve të saj. Burime pranë PS-së bënë me dije se kupola rozë po ideon një strategji të radhës pas 20 nëntorit. Nisur nga presionet e brendshme për mundësinë e shpalljes së pavlefshme të të gjitha mandateve për deputetë, e kjo për shkak të bojkotit që PS-ja i ka bërë Kuvendit, njëkohësisht dhe deklaratat e faktori ndërkombëtar, që e cilësojnë si të padrejtë një qëndrim të tillë, mësohet se lidershipi socialist po projekton një tjetër lëvizje, për të zgjidhur të paktën në dukje një situatë të tillë. Sipas këtij projekti, pritet që pas protestës së 20 nëntorit, grupi parlamentar i PS-së të kthehet në Kuvend, por kjo vetëm për të bërë betimin, me qëllim që të garantohen mandatet e ligjvënësve socialistë. Pas këtij hapi bojkoti do të vijojë sërish, por përmes një kërkese të firmosur nga 28 deputetë të kësaj partie, PS-ja do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të shprehet mbi kërkesën për hapjen e kutive të votimit. Përgjatë kësaj kohe, pra deri në një vendim përfundimtar të kësaj gjykate, grupi kuvendor socialist do të vijojë bojkotin. Madje, një qëndrim i tillë nuk do të ndryshohet, në rast se Kushtetuesja do të rrëzojë kërkesën e socialistëve. Njëkohësisht, mësohet se kthimi i deputetëve socialistë në Kuvend është një “premtim” që lidershipi i PS-së i ka dhënë faktorit ndërkombëtar, në takimet e shumta të zhvilluara me drejtues të kësaj partie, takime që në shumë raste janë kërkuar me insistim nga vetë këta të fundit. Në këtë mënyrë, edhe pse nuk mund të flitet për një dështim real të aksionit politik të ndërmarrë nga lidershipi socialist, tashmë shihet një reflektim mbi hapat që mund të ndiqen nga kjo parti. Për më tepër që mesazhi që mund të vijë nga Bashkimi Europian, mbi vendimin që do të merret në mbledhjen e radhës së Këshillit të Europës, të ministrave të Jashtëm, për t’i dhënë të drejtën Këshillit të Europës të fillojë negociatat me Shqipërinë për t’i dhënë asaj statusin e kandidates, është një tjetër moment, i cili e bën të detyrueshëm një qëndrim të qartë të Partisë Socialiste. Por ndërkohë që deputetët, që njihen tashmë si kundërshtarë të këtij vendimi, mund të jenë të parët që kthehen në Kuvend.

Rezoluta e LMN

“U kërkojmë të gjithë deputetëve të opozitës të rishikojnë vendimin për bojkotin e Kuvendit për të qenë prezent në seancën kuvendore të datës 16 nëntor 2009, me rastin e marrjes se vendimit të KE-së lidhur me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Kjo, me synimin për ta bërë grupin kuvendor të opozitës pjesëmarrës në këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe demonstruar se opozita aktuale ashtu si në të kaluarën, por edhe në të tashmen e në të ardhmen, në drejtimin e vendit ka vendosur sistematikisht dhe vendos interesat madhore të Shqipërisë”.

Arsyeja e kërkesës

“Të vetëdijshëm për koston jopozitive që ka shkaktuar mosarritja e të gjithë standardeve në nivelin e tyre maksimal në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe situata aktuale parlamentare me bojkotin nga opozita, por me angazhimin tonë maksimal për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë përmes një dialogu konstruktiv e institucional, që do garantonte arritjen e plotë të standardeve demokratike në zgjedhjet e ardhshme”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›