Islami: Presidenti me 71 vota, përfaqësues i unitetit të popullit

Kastriot Islami
Deputeti komenton zgjedhjen e Presidentit.
Kushtetuta nuk jep mundësi për të imponuar konsensus, nëse konsensusi sarrihet
Deputeti Kastriot Islami në adresën e tij në Facebook ndërhyn në debatin e ditës për interpretimin e nenit 87 të Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit. Islami shprehet që në fillim se Kushtetuta nuk pengon asnjë mundësi për konsensus mes palëve për kandidaturën e Presidentit. Ndërtimi i konsensusit, por jo imponimi i tij, i cili parashikohet në dispozitat kushtetuese (tri raundet e para të zgjedhjes së Presidentit) dhe nëse kjo nuk arrihet, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, e drejta e zgjedhjes së Presidentit i përket një shumice të thjeshtë të Kuvendit (71 deputetëve). Ndryshe, kjo do të thotë se nëse forcat politike do të jenë në gjendje të ndërtojnë konsensus, Kushtetuta ua krijon këtë mundësi, por Kushtetuta nuk jep mundësi për të imponuar konsensus, nëse konsensusi nuk arrihet, të drejtën e zgjedhjes ia ka lënë shumicës së thjeshtë, shprehet Islami në interpretimin që i bën nenit të Kushtetutës. Sipas tij, Kushtetuta nuk pengon askënd që plotëson kushtet e nenit 86, pika 2, të zgjidhet President: President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.
Islami shprehet se nuk ka asnjë kusht për kandidatët për President, përveç atyre të përcaktuara në nenin 86, pika 2, të Kushtetutës. Për ish-deputetin e PS-së, asnjë procedurë tjetër, përveç asaj që përcakton Kushtetuta, nuk mund të ndërmerret për përzgjedhjen e kandidatit për President. Nuk lejohet as me Kushtetutë dhe as me Rregulloren e Kuvendit të aplikohen procedura të tjera, aq më pak jashtëparlamentare për zgjedhjen e Presidentit apo seleksionimin e kandidaturave që filtrojnë apo i heqin çdo shtetasi shqiptar të drejtën për tu zgjedhur President sipas kërkesave, kushteve dhe mënyrës së procedurave të përcaktuara në Kushtetute apo në Rregulloren e Kuvendit…, shprehet Islami në adresën e tij në rrjetin social Facebook. Duke dhënë opinionin e tij lidhur me mundësinë e përzgjedhjes së kandidatëve për presidentë përmes komisioneve ad hoc, Islami shprehet se çdo organizim i këtij lloji del jashtë kornizës kushtetuese. Seleksionimet me natyrë partiake, apo çdo lloj natyre tjetër për kandidaturat, qofshin edhe me efekte ndërmjetëse, duhet të jenë në përputhje dhe në respekt të Kushtetutës e të Rregullores së Kuvendit. Asnjë mandat, aq më pak partiak apo i çfarëdo lloj natyre tjetër, nuk mund të kufizojë të drejtën kushtetuese të individit për të konkurruar në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit, shprehet Islami. Për deputetin tashmë të pavarur, Presidenti i Republikës e ka të sanksionuar në Kushtetutë ushtrimin e detyrës si përfaqësues i unitetit të popullit. Në Kushtetutë, në nenin 86 të saj, thuhet se Presidenti i zgjedhur është përfaqësues i unitetit të popullit. Kjo do të thotë se qoftë në rastin kur Presidenti do të zgjidhej me konsensus, qoftë në rastin kur do të zgjidhej me shumicë prej 3/5-ve, apo qoftë edhe në rastin kur do të zgjidhej me shumicë të thjeshtë, ai, pasi të bënte betimin, do të ishte i detyruar të ishte përfaqësues i unitetit të popullit. Do të ishte naive dhe spekulative të nxirrej përfundimi apo të insistohej që meqë Presidenti i zgjedhur sipas kërkesave kushtetuese duhet të jetë përfaqësues i unitetit të popullit, ai duhet të zgjidhet domosdoshmërisht me konsensus, shprehet Islami, duke dhënë qëndrimin e tij në debatin për mënyrën se si duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës.
Olldashi: Topalli, Presidente e mundshme
Sokol Olldashi
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë një interviste në ABC News deklaroi se Jozefina Topalli mund të jetë një kandidaturë e mundshme për Presidente nga ana e maxhorancës. Deputeti demokrat, Olldashi, thotë se Topalli ka një karrierë politike në ngjitje dhe rruga e saj drejt Presidencës do të ishte e natyrshme. Gjithashtu, më tej Olldashi sqaron se në Partinë Demokratike ende nuk ka një diskutim konkret mbi emrin e Presidentit të ardhshëm dhe se të gjitha deklaratat e bëra gjatë këtyre ditëve nga deputetë të ndryshëm të selisë blu janë qëndrime personale të tyre. Olldashi foli edhe për marrëdhëniet e PD-së më Presidentin aktual, Bamir Topi, duke kritikuar ashpër qëndrimin e tij sa i përket ngjarjes së 21 janarit të vitit të kaluar.
