Islami: Rama në Kongres nuk bëri bashkim, por spastrim të PS-së
Deputeti i PS-së dhe sekretari për Çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, duke përshëndetur dje paktin e arritur mes PD e PS-së, tha se “këta tre komponentë, unë dhe kolegët e mi kemi një kohë shumë të gjatë që i kërkojmë me insistim dhe sot ndjejmë një kënaqësi dhe i përshëndesim. Sot mund të themi se u futëm në një proces normal, le të shpresojmë që ky nuk do të zvarritet me obskursionet e këtyre tri komisioneve”. Duke iu përgjigjur pyetjes së ABC për politikën e Ramës për të hapur PS-në për të larguarit, me qëllim bashkimin e partisë, Islami tha se “unë kam një mendim tjetër. Nëse ka largim të disave dhe afrim të disa të tjerëve, (ka pafund emra konkretë që mund të merren në konsideratë), ndoshta numri i të larguarve është më i madh se i atyre që janë afruar, ky nuk mund të quhet më afrim, kjo nuk quhet hapje, nuk quhet bashkim, por ky quhet thjesht spastrim”. Sipas tij, Rama po bën diversion gjatë gjithë këtyre ditëve duke thënë se unë do të afroj disa dhe largoj disa të tjerë. “Apo teknologjia që po përdoret për mbledhjen e ardhshme të Asamblesë për sa i përket formimit të sekretariatit dhe kryesisë, ku duket se ka një teknologji për të bërë këtë afrim dhe largim, për të bërë diversion brenda atij grupi që ka menduar ndryshe, për të thënë që disa janë të pranueshëm e disa të papranueshëm”. Islami theksoi se ajo çka ndodhi në Kongres dhe do të ndodhë në zgjedhjen e kryesisë e sekretariatit është spastrim dhe jo bashkim, dhe filozofi të vërtetë për krijimin e një klime bashkëpunimi. “Në Partinë Socialiste dhe në politikën shqiptare njerëzit janë të ndarë në tri grupe; njerëz që mbështesin zotin Rama dhe zoti Rama do të ndërtojë Shqipërinë e rilindur me këta njerëz; njerëz që kundërshtojnë brenda PS-së zotin Rama dhe janë ulur në prehrin e Berishës se paskan interesa personale, dhe njerëzit e regjimit të Berishës. Pra, e ndarë në këtë mënyrë në tri klasa, kjo të sjell në mendje parimin leninist të ndarjes së klasave ‘o ka njerëz të mirë, armiq të brendshëm dhe armiq të jashtëm, madje armiqtë e brendshëm janë ulur në prehrin e armikut të jashtëm”, - tha Islami. Deputeti i PS-së zbulon se “Rama nuk pati as atë lloj ndërgjegjeje të brendshme qoftë dhe ta maskonte atë lloj hileje pa e thënë këtë gjë. Pra vetë thënia e kësaj gjëje e demaskoi komplet subkoshiencën e asaj që ai mendon dhe fatmirësisht që ndodhi kështu për të kuptuar njerëzit që këtu nuk kemi të bëjmë me një afrim, dhe kjo do të ndodhë edhe në mbledhjen e ardhshme të asamblesë, ku do të votohet kryesia dhe sekretariati dhe do të krijohet ideja se është bërë me votim demokratik”. Por Islami parashikoi se, “nëse një kongres është i përbërë në shumicë me klientelë, natyrisht do të prodhojë një sekretariat me shumicë klienteliste dhe pastaj kjo do të shitet edhe nëpërmjet diversionit duke bërë etiketime që nuk i kanë munguar edhe në librin e tij të fundit. Më mirë të jesh kurban i një spastrimi dhe një diversioni, sesa të jesh pjesë e tij”.