Avokati i Popullit, PD: Rama nuk njeh institucione të pavarura
TIRANË Partia Demokratike nuk i beson propozimit më të fundit të Edi Ramës për ngritjen pranë PS-së së një komisioni “ad-hoc”, me qëllim përzgjedhjen e një kandidature sa më të depolitizuar për Avokatin e Popullit. “Rama vetë harroi, por shqiptarët natyrisht që jo, se ai vetëm dy javë më parë propozoi për në bordin e Bankës së Shtetit, institucionit më të depolitizuar të vendit, militanten e thekur të PS-së, anëtaren e kryesisë besnike të partisë së tij, Ermelinda Meksi. Rama flet për institucione të pavarura, por të tilla ai konsideron vetëm ato që i vendos nën kontrollin e partisë. Duam të pyesim z. Rama, kur je serioz dhe i vërtetë, kur cicëron për pavarësi të institucioneve kushtetuese, apo kur në emër të kësaj pavarësie emëron në krye të tyre drejtuesit kryesore të Partisë Socialiste? Partia Demokratike beson se qytetarët shqiptarë dinë të japin përgjigjen më të mirë dhe më të drejtë kësaj pyetjeje”, - tha dje zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj.