Islami: Rama, opozitë me stilin e Zhvejkut pasi humbi Tiranën
Më poshtë po bëj një analizë të thjeshtë për Bashkinë e Tiranës, e cila u bë sebepi që edhe dy vjet të tjera politika shqiptare të mbetet me shumë gjasa në ngërç dhe të sorollatet në labirintet e politikës së vjetër, me mentalitet komunist e ballkanik, ku edhe shumë nga lojtarët me moshë të re mendojnë se më i miri është ai që sillet më keq dhe më i zoti është më i paafti që sulmon të aftët. Edhe për dy vjet të tjera, deri në 2013-n, gjasat janë që të vazhdojë e njëjta situatë si në dy vitet 2009-2011, por me formë dhe stil ndryshe… Nuk duket asnjë sinjal optimist që të ndodhë çudia dhe ky nuk është as pesimizëm dhe as skepticizëm; ndonëse pres me shumë vigjilencë të ndodhë ndryshe, nuk shikoj asnjë shenjë pozitive, madje më rezulton e kundërta kur gjithçka është fokusuar tek zgjedhja e Presidentit, duke e kthyer këtë institucion nga pjesë e zgjidhjes në pjesë të problemit…
Ngërçi politik vazhdon: Donkishoti ja lë vendin Shvejkut
Kriza/ngërçi me anë të bojkotit dyvjeçar donkishotesk do tja lërë vendin krizës/ngërçit tanimë pa bojkot përmes luftës me stilin e Shvejkut, ku palët do të përgjërohen për demokracinë dhe integrimin, por nuk do të merren dot vesh duke u përpjekur vetëm për tu mbushur mendjen ndërkombëtarëve se fajin e ka pala kundërshtare. Zgjedhja e Presidentit për shkak të zgjedhjes nga ana e tij të prokurorit të Përgjithshëm dhe të shefit të Shërbimit Inteligjent (por jo vetëm), do ti hedhë në mënyrë naive më shumë benzinë zjarrit. Bashkia e Tiranës do të lakohet në të gjitha rasat në median shqiptare dhe në takimet me ndërkombëtarët si argumenti më i fortë për të justifikuar krizën që do të vazhdojë të jetë prezente deri në vitin 2013; perëndia u tregua e madhe duke i ofruar humbësit legal në çastin e fundit vjedhjen e Bashkisë. .. E gjithë kriza/ngërçi politik dhe të gjithë krizat e tjera shoqëruese e të sajuara do të vazhdojnë edhe në dy vitet në vijim dhe do të lidhen me datën 14 maj 2011., fitoren e vjedhur me 10 vota, me KQZ kanibale, me Kolegjin Zgjedhor të blerë nga studio Berisha e të tjerë, e të tjerë
Lufta e maces me miun duket se do bllokojë marrjen e statusit te vendit kandidat për në BE
Tema tabu që PS fitoi apo nuk fitoi në Tiranë, tani është kthyer në temë të zakonshme, çdo ditë e më shumë pas daljes së Ramës nga zyra e Bashkisë. Pas pak ditësh, raporti i OSBE/ODHIR do të rihapë debatin e nxehtë për cilësinë e zgjedhjeve përmes të cilit secila palë do ti japë të drejtë vetes duke i mëshuar pjesës që i pëlqen apo duke mohuar pjesën që nuk i pëlqen. Në shtator fillon pra lufta e maces me miun, se kush tia hedhë njëri-tjetrit në betejën politike për 12 pikat e BE dhe/ose reformën kushtetuese e zgjedhore; kjo lloj beteje duket do të bllokojë procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE dhe nuk do të prodhojë progres për sa i përket reformave, duke u përpjekur ti tregojnë partnerëve ndërkombëtarë se përgjegjëse është pala kundërshtare dhe pa shumë shqetësim që, edhe këtë radhë, Shqipëria me shumë gjasa do të humbasë trenin europian.
E Majta mbetet e përçarë dhe rezulton humbëse në Bashkinë e Tiranës në 2011-n..
Në 2007-n e majta e bashkuar (PS bashkë me LSI) fitoi 1) kryetarin e Bashkisë, 2) Këshillin Bashkiak, 3) Njësitë bashkiake në raportin 9 me 2 dhe 4) këshillat minbashkiake në raportin 9 me 2. Në 2011-n, PS në krye të se majtës, më të përçarë se kurrë (PS në konflikt me LSI, e cila pas 2009 iu bashkua koalicionit të PD) 1), humbi legalisht (e debatueshme/e papranueshme nga opozita politikisht) kryetarin e Bashkisë; 2) Këshillin Bashkiak me 385 vota më pak; 3) Njësitë bashkiake nga 9 me 2 në favor të saj, në 7 me 4 në favor të së djathtës dhe 4) po në të njëjtën masë edhe këshillat minibashkiakë. Nëse e majta do të ishte shfaqur e bashkuar si në 2007-n në konkurrimin për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2011, atëherë 1) kandidati i majtë do të fitonte Bashkinë e Tiranës me 40376 vota (ose me 57.37 % kundrejt 41.04 % të kandidatit të PD) më shumë; dhe 2) me këtë rezultat 55 mandatet në Këshillin Bashkiak do të ishin shpërndarë në 32 mandate për të majtën e bashkuar dhe 23 mandate për të djathtën, duke fituar kështu e majta jo vetëm shumicën e qartë, por edhe kryetarin e Këshillit Bashkiak. Dhe PS nuk do të ishte futur në ngërçin fitoi Rama me 10 vota apo jo.. duke e mbajtur kështu përsëri PS në krizë, të majtën të përçarë dhe vendin në ngërç e për rrjedhojë të humbur edhe momentin për fitimin e statusit të vendit kandidat për në BE. Për të reflektuar sinqerisht në funksion të suksesit në vitin 2013, duhet të fillojë sipas kësaj mënyre të kryhet analiza realiste e situatës në PS dhe në të majtën shqiptare, përndryshe shanset e humbjes në 2013-n janë shumë të larta…
PS me aleatë të dobët, kurse PD me aleatë të fuqishëm
Një përfundim tjetër është se PS ka menduar më shumë për veten e saj sesa për të ndërtuar koalicion të fuqishëm e të suksesshëm; koalicioni Aleanca për të Ardhmen (AA) i drejtuar nga PS ka fituar 121 232 vota, nga të cilat 104 465 vota (ose 86 për qind të tyre) i ka fituar PS dhe vetëm rreth 16 500 vota (ose 14 për qind) aleatët. Vetëm PDS ka mundur të fitojë rreth 3000 vota, ndërkohë që të gjithë aleatët e tjerë mbeten të dobët. Edhe aleati i saj i ri nga e djathta PDK, rezulton i zvogëluar në 2011-n me rreth 30 për qind krahasuar me 2007-n. Kurse PD ka aplikuar një politikë më fleksibël ndaj aleatëve, duke i lënë më shumë terren atyre të rriten për vetë natyrën më të decentralizuar/dispersive të votave në zgjedhjet vendore. Koalicioni Aleanca për Qytetarin ka fituar 121 617 vota në 2011-n, nga të cilat PD ka fituar vetëm 77 142 vota (ose vetëm 63 për qind të votave, pra rreth 23 për qind më pak se PS) dhe aleatët e saj kryesore (të gjithë më të mëdhenj se aleatët e PS) kanë fituar si më poshtë: i) LSI ka fituar 21 213 vota (17 për qind të votave të koalicionit), ii) PDIU ka fituar 7217 vota (5.9 për qind të votave të koalicionit), iii) PR ka fituar 4460 vota (ose 3.7 për qind të votave dhe iv) PLL ka fituar 3170 vota (ose 2.6 për qind të votave të koalicionit). Vetëm këto katër aleatë kanë fituar (gjithsej 36 060 vota) më shumë se dyfishi i votave të fituara nga aleatët e PS (gjithsej 16 500 vota). Kjo taktikë është ndjekur qëllimisht për të motivuar më mirë aleatët dhe për të rritur kështu efikasitetin e tyre elektoral në zgjedhje ku votat shpërndahen dhe nuk mundet vetëm partia kryesore ti mbledhë të gjitha.
PS ka përkeqësuar më shumë marrëdhëniet me aleatët tradicionale sesa PD me aleatët e saj
Ndonëse PS ndodhet në opozitë, ajo i ka përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët tradicionale më shumë sesa PD me aleatët e saj, ndonëse ajo ndodhet që prej 6 vitesh në drejtimin e qeverisjes së vendit dhe normalisht edhe marrëdhëniet me aleatët duhet të ishin konsumuar. Dy parti të rëndësishme kanë bërë lëvizje me 180 gradë, për shkak të keqësimit të marrëdhënieve me partitë kryesore, përkatësisht LSI me PS dhe PDK me PD: i) LSI në 2007-n (me 18 615 vota ose 10.71 %) ka qenë në koalicion me PS dhe në 2011-n (me 21 213 vota ose 8.58%) është në koalicion me PD dhe ii) PDK në 2007-n (me 2363 vota ose 1.36 %) ka qenë në koalicion me PD dhe në 2011-n është në koalicion me PS (1777 vota ose 0.72 %), ndërkohë që një pjesëz e saj (afërsisht sa një e treta) e quajtur Lidhja Demokristiane, LDK (me 698 vota ose 0.28 %) është ndarë prej saj dhe ka mbetur në koalicion me PD. Por, LSI ka pasur një ndikim përcaktues në humbjen e PS, sepse është gati dhjetë herë më e madhe sesa PDK, aq më tepër që PDK ka pësuar një çarje duke formuar 2 parti demokristiane a) LDK, që ka fituar 698 vota dhe b) AAK që ka fituar 209 vota; ndërkohë që të dyja se ba