E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koalicioni funksional, jo ndryshime kushtetuese”

02-08-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto

Zëvendëskryeministri i vendit njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, deklaroi se “sot Shqipëria ka koalicionin qeverisës më funksional, i cili po funksionon shumë mirë dhe s’mund të tronditet”.
“Aktualisht LSI është në koalicion shumë solid me PD-së. Ky koalicion është plotësisht funksional”, u shpreh Haxhinasto gjatë një interviste televizive për ABC News.
Ai ka hedhur poshtë çdo lloj oferte të bërë nga Partia Socialiste për mundësinë e ndonjë koalicioni politik me LSI-në, ashtu sikundër pak ditë më parë një kërkesë e tillë është hedhur në treg nga anëtarë të PS-së.
“LSI është parti në pushtet, është pjesë e koalicionit, ka një marrëveshjeje për këtë legjislaturë aktuale, është forcë politikë shumë luajale, siç e tregon ecuria e bashkëqeverisjes, por dhe zgjedhjet e fundit të 8 majit. Mendoj se askush në opozitë nuk duhet të bëjë plane për riorganizimin e opozitës me mendjen e tij, duke mos marrë në konsideratë qëndrimet, vlerësimet, vizionin dhe angazhimet e LSI-së. Janë bërë gabime të tilla edhe më parë. LSI, qëndrimi i saj, pozicionimi i saj nuk është marrë në konsideratë, me një fjalë popullore janë ‘bërë hesape pa hanxhinj’. Kështu mendoj edhe në rastin konkret, se çdo riorganizim i opozitës, së pari, u takon atyre që janë në opozitë. Se çfarë do bëjë LSI në të ardhmen është shumë e qartë për forcën tonë politike. Ne aktualisht po e përpunojmë më tej vizionin tonë për të ardhmen, vizionin tonë jo vetëm për bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike, por po përpunojmë një vizion edhe për Shqipërinë europiane, për 10 vitet e ardhshme, kur Shqipëria duhet të kualifikohet për të qenë anëtare e BE”, u shpreh Haxhinasto.
Duke iu referuar ndryshimeve Kushtetuese të kërkuara nga PS, Haxhinasto thotë se mazhoranca nuk do ndryshojë qëndrim, duke nënkuptuar këtu se një ofertë e tillë nga opozita do të refuzohet.
“Çështja e ndryshimeve kushtetuese është një çështje për të cilën kemi mbajtur një qëndrim shumë të qartë kohë më parë. Ne nuk ndryshojmë qëndrimin përsa i takon ndryshimeve kushtetuese”, tha më tej nr. 2 i qeverisë shqiptare, Edmond Haxhinasto.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›