E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna Armen-Vlorë, fiton kandidati i PD-së, Kliton Haxhiraj

02-08-2011 / Gazeta 55

Përfundon numërimi i votave në komunat Mollas dhe Armen

Kandidati i Partisë Demokratike dhe Koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Kliton Haxhiraj, u shpall fitues në zgjedhjet vendore në komunën Armen, 20 km në lindje të Vlorës, duke marrë mandatin e tretë rresht në këtë njësi të qeverisjes vendore.
Në përfundim të procesit të numërimit të votave, zoti Haxhiraj rezultoi fitues me 28 vota më shumë se rivali i tij, kandidati i Partisë Socialiste dhe Koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Albert Hoxha.
Komuna e Armenit, është një nga 9 njësitë e qeverisjes vendore në shkallë vendi, ku u zhvilluan dje zgjedhjet e pjesshme vendore.
KQZ kishte shpallur pavlefshmërinë dhe kishte vendosur përsëritjen e zgjedhjeve në këtë komunë, pas ankesës që kishte bërë kandidati i Partisë Socialiste dhe i Koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Albert Hoxha, për parregullsi gjatë procesit zgjedhor të zhvilluar në 8 maj.
Në këto zgjedhje, në komunën Armen, KZAZ shpalli fitues zotin Kliton Haxhiraj, përballë rivalit të vet, Albert Hoxha me një diferencë prej 3 votash.
Gjithashtu, numërimi ka përfunduar edhe në komunën Mollas të Korçës. Në zgjedhjet e pjesshme për këshilltarë që u zhvilluan të dielën më 31 korrik, “Aleanca për Qytetarin” ka marrë 9 këshilltarë ndërsa “Aleanca për të Ardhmen” ka marrë 4 këshilltarë. Kështu në komunën Mollas në Korçë votuan 883 zgjedhës nga 2663 persona me të drejtë vote.

Në Papër dhe Qendër “Skrapar” fitojnë kandidatët e koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen”

Dje pasdite përfundoi procesi i numërimit të votave në komunën Papër të Elbasanit dhe në komunën Qendër Skrapar të qarkut të Beratit. Kandidatët e majtë të këtyre komunave kanë rezultuar fitues. Kështu në komunën Papër në Elbasan është shpallur fitues për herë të tretë me 110 vota, Shefqet Bullari i “Aleancës për të Ardhmen”. Për koalicionin e djathtë “Aleancën për Qytetarin” garonte kandidati Gani Cani. Ndërkohë në komunën Qendër Skrapar ka fituar kandidati socialist dhe i mbështetur nga koalicioni i majtë, Astrit Mustafaraj me 400 vota me shumë. Përballë Mustafajt nga “Aleanca për Qytetarin” garonte Gazmir Hyskaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›