E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhja e Presidentit, sipas Kushtetutës, asnjë lëshim që cenon ligjin themeltar”

02-08-2011 / Gazeta 55

Fatos Beja, deputet i PD-së

Rikthimi i socialistëve në Kuvend në muajin shtator nuk do të sjellë nga ana e demokratëve asnjë tolerancë përsa i takon zgjedhjes së kreut të shtetit. Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja u shpreh dje se “nëse opozita do të tregohej gjatë dy viteve të shkuara më racionale me votat e saj në Kuvend, ajo do të kishte ndikuar në zgjedhjen e disa kandidaturave në gjykatën e lartë apo kushtetuese”.
Por përsa i takon kreut të ri të shtetit, Beja thotë se Presidenti përcaktohet vetëm nga mazhoranca.
“Kjo pozitë po të ishte më racionale në shfrytëzimin e numrave që ka në parlament, nga përvoja që kam, jam i sigurt që do të kishin mundësi të ndikonin në kandidaturat e deritanishme. Kanë ende mundësi ta bëjnë në të ardhmen. Nuk kam parasysh presidentin, flas në përgjithësi për kandidaturat. Ndërsa presidenti përcaktohet nga mazhoranca me kushtetutën që kemi sot në fuqi”, tha Beja.
Sistemi aktual zgjedhor që ka Shqipëria nuk mund të prodhojë asnjëherë një mazhorancë me 3/5 e votave në parlament si në rastin e Hungarisë. Për këtë, deputeti Beja fton në bashkëpunim opozitën të japë kontributin për zgjedhjen e avokatit të popullit dhe krijimin e gjykatës administrative.
“Zgjedhja e avokatit dhe krijimi i gjykatës administrative dhe në të gjitha fushat e tjera është i domosdoshëm bashkëpunimi për të pasur rezultate të shpejta, të dukshme, të vlerësueshme nga komuniteti ndërkombëtar”, theksoi ai.
Përsa i takon kryesisë së re të PD-së, Beja thotë se 25 anëtarët ishin produkt i votës së këshillit kombëtarë dhe si cilëson të rinjtë si e ardhmja e partisë.
 “Aty ka njerëz që janë që nga themelimi, ka njerëz që kanë pasur një kontribut të veçantë me ‘97-ën e mbrapa, në momentin më të keq të PD-së, ka njerëz që janë angazhuar te PD-ja në 2005-ën e prapa. Në çdo zgjedhje ka dhjetëra, mijëra të rinj që futen. Janë 50 mijë të rinj që marrin të drejtën e votës çdo vit, sepse kështu vjen brezi dhe patjetër që ata duan të shohin të përfaqësohen nga breza të rinj”, u shpreh Beja.
Deputeti Beja thekson se në rast se në shtator, qëndrimi i PS-së në Parlament do të jetë dekonstruktiv, atëherë Shqipëria nuk do të ketë një raport pozitiv për integrimin nga Brukseli. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›