Islami: Rama qeveri klienteliste, program qeverisës ka formën e një hartimi

Flet deputeti i PD-së, Kastriot Islami
Deputeti i PD-së Kastriot Islami akuzon kryeministrin Rama se ka lënë jashtë qeverisë personalitete me eksperiencë në PS, për ti hapur rrugën një qeverie klienteliste. Ai thekson se në seancën e parë pritej ndonjë risi, por kjo nuk ndodhi. “Isha nisur me mendimin që të paktën ky sesion parlamentar do të ishte ndryshe. Mendova se do të kishte mundësi të shkonim në një fillim normal duke parë rezultatin e zgjedhjeve dhe pranimin e humbjes. Në seancën e dytë fillon të vihet në jetë teknologjia e vjetër e mosrespektimit të rregullave të lojës dhe konfrontimit politik. Mazhoranca nuk i dha asnjë minutë kohë opozitës, duke e detyruar të vinte në parlament të nesërmen në orën 10:00. Rama kishte një qëndrim urrejtje do të thosha unë, ishte ndryshe nga ajo që u predikua. Në këtë moment, praktikisht kjo futet dhe në rregullat e parlamentit, edhe mund të braktiset salla për një moment. Nuk ka asnjë vendim bojkoti, ditën e shtunë opozita do të marrë pjesë në seancë. Është një largim nga një seancë që u mendua se nuk po trajtohej çështja e rendit të ditës, dhe kishte edhe disa elementë ofendues”. Sipas tij, pati një gjuhë etike për një debat parlamentar të shëndetshëm. “Në legjislaturën e kaluar një nga arsyet e fuqishme që nuk u arrit të merrej statusin kandidat ishin marrëdhëniet relativisht të tensionuara mes mazhorancës dhe opozitës, që praktikisht kishin bllokuar vendimmarrjen, siç ishte rasti i 3 ligjeve. Kryeministri i dekretuar po bënte një retorikë që nuk kishte lidhje me rendin e ditës”, theksoi ai. Më tej deputeti i PD, Islami vuri në dukje se nuk e kishin marrë programin qeverisës siç është bërë në parlament në 7 legjislaturat e mëparshme. “Ne nuk e kishim marrë programin e PS. I gjithë grupi i PD ishte në sallë dhe deri në orën 2 nuk kishte asnjë njoftim nga ana e parlamentit. Na thanë se ishte shpërndarë në orën 4, kur ne nuk ishim. Prisnim që kryeministri me një hyrje të shkurtër të shpaloste më pas programin e tij”, theksoi ai. Sipas tij dy ditë kohë për të diskutuar dhe nxjerrë konkluzione mjafton për të kuptuar se çfarë qeverisje do të jetë kryeministri Edi Rama. “Koha mjafton. 48 orë janë të mjaftueshme për të studiuar atë material që quhet programi i qeverisë. Secili po përgatitet, ka një vlerësim të parë të paktën në këndvështrimin tim është një material që nuk ka as përmbajtjen as formën e një programi qeverisës. Këtë e shikoj jo thjesht nga këndvështrimi politik, sepse dihet që mazhoranca do ta vlerësojë programin dhe opozita do ta kritikojë. Por unë e shikoj si një ekspert, si një specialist. Unë kam shkruar disa programe qeveritare, e di shumë mirë se si shkruhet një program, çfarë përmban një program”. Sipas deputetit Kastriot Islami vuri në dukje se ky program i Ramës ka formën e një hartimi. “Nuk ka strukturën farë të një programi qeveritar. Programi është negativist. Ka ndryshuar struktura e qeverisë. Është bërë një qeveri e madhe dhe e copëzuar. Sepse nga 14 ministri janë bërë 19, disa ministri janë copëzuar. Është një strukturë që bazohet në elementët e ndarjes klienteliste. Problem tjetër është cilësia e përbërjes së këtij kabineti. A është ky kabineti me cilësinë e duhur dhe eksperiencën për të përballuar krizën. Përjashtoj LSI-në, që ka kombinuar të renë dhe eksperiencën”.