E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Shoqëruesi i Nishanit dhunoi Tahirin

Zëdhënësja e fushatës së PD-së deklaroi se mjetet e PS-së po cenojnë procesin


TIRANË - Incidenti i krijuar me kandidatin socialist për deputet në Qarkun e Tiranës, Saimir Tahiri, pikërisht për përdorimin e disa mjeteve nga ana e tij (stilolaps) për të vëzhguar, raste të manipulimit të zgjedhjeve, është shoqëruar me debate të ashpra mes dy partive kryesore në vend.


Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, denoncoi dje dhunën e ushtruar ndaj kandidatit për deputet të PS-së, Sajmir Tahiri, në zonën e Kombinatit në Tiranë, në qendrën e votimit 1862.


Sipas Islamit, "shoqëruesi i Bujar Nishanit, bashkë me një punonjës të SHKB-së, kanë goditur me armë Sajmir Tahirin, sepse mban mjete moderne për të kapur manipulimin". Ndërkohë, Islami sqaroi në konferencën e djeshme për shtyp se ligji nuk pengon asnjë mjet modern për të vëzhguar manipulimet e zgjedhjeve.


Sekretari për Çështjet Zgjedhore shtoi se, "duhet të tregojmë që procesi është transparent, e kundërta do filmohet, faktohet dhe do evidentohet". Islami ka sqaruar se është në përdorim një teknologji e thjeshtë për të shmangur fotografimin e votës nga punonjësit e administratës civile të detyruar nga shefat e tyre.


Po dje, menjëherë pas reagimit të Islamit, me të njëjtën monedhë është përgjigjur edhe zëdhënësja e fushatës së PD-së, Majlinda Bregu. Edhe pse përfaqësuese e një partie politike, ajo ka demonstruar dje para kamerave objektet e sekuestruara të kandidatit Tahiri, nga policia.


"Sajmir Tahiri është rikthyer me eksperiencat e vjetra të sigurimit të shtetit për të dëmtuar procesin zgjedhor. Stilolapsi që i është marrë Tahirit në Kombinat, përmes të cilit mund të fotografohen votat, bie në kundërshtim me ligjin për materialet e lejuara në qendrën e votimit. Stilolapsi është shpikja më e fundit për të manipuluar procesin",- tha Bregu.


Sipas saj, materialet e teknologjisë së lartë, të bëra të ditura nga Kastriot Islami janë objekte, me të cilat mund të bëhen foto, të regjistrohen fragmente dhe të ruajnë të dhënat në një USB, çka, sipas saj, bie në kundërshtim të plotë me ligjin.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›