E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, nënprefektja godet gruan handikapate

Një shtetase kishte marrë 2000 lekë të reja për të votuar për PD-në, por nuk e ka mbajtur premtimin e saj


LIBRAZHD - Nënprefektja e Elbasanit për Librazhdin, Mimoza Qyra, është bërë protagoniste e një ngjarjeje duke rrahur një shtetase për faktin se nuk ka votuar për partinë për të cilën ishte paguar.


Një fakt i tillë bëhet i ditur nga vetë shtetësja e dhunuar, e cila është edhe handikapate dhe gjithashtu pohohet nga burime të Partisë Socialiste. Gjithçka mësohet se ka ndodhur ditën e djeshme, kur shtetësja e verbër, e cila deklaron të ketë marrë 2 mijë lekë të reja për të votuar për PD-në, është përballur me nënprefekten Qyra.


Teksa e ka pyetur gruan se për cilën parti ka votuar, kjo e fundit ka deklaruar se ka votuar për PS-në. Një pohim i tillë ka bërë që nga ana e nënprefektes të vijë një reagim i papritur, duke e qëlluar dhunshëm gruan. Rrahja është kryer në ambiente publike, ndërsa mësohet se teksa nënprefektja qëllonte handikapaten, në vendngjarje ka ardhur edhe i shoqi i viktimës, i cili gjithashtu kishte marrë një shumë të tillë për të votuar për PD-në.


Teksa ka ndërhyrë për të shpëtuar bashkëshorten, ai është qëlluar gjithashtu nga nënprefektja, e cila më pas është larguar. Dëshmitarë në vendngjarje bëjnë të ditur se policia ka mbërritur në vendngjarje e megjithatë nuk ka pasur asnjë reagim përkundrejt përfaqësueses së qarkut për Librazhdin.


E pyetur lidhur me ngjarjen, gruaja-viktimë, është shprehur se paratë i ka pranuar pasi është shumë e varfër, por votën e ka hedhur për atë që ka pasur dëshirë, gjë që ia ka pohuar edhe nënprefektes. Sipas ligjit, në rastet e rrahjeve, është vetë viktima ajo që duhet të bëjë denoncimin në gjykatë për dhunën e ushtruar ndaj saj, denoncim i cili duket se nuk do të kryhet nga handikapatja, viktimë e dhunës së nënprefektes.
Në orën 00:30, festimet e parakohshme të simpatizantëve të dy partive solli edhe një përplasje mes tyre, përplasje e cila fatmirësisht u përmbyll pa pasoja.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›