Islami: Të ngrihet komision "add hoc" për dublikatat
Pas tri javësh pushim, Kuvendi ka çelur dje sesionin e ri parlamentar, duke mbledhur në orën 17.30 minuta seancën e tij të parë për vitin 2009. Ndryshe nga herët e tjera, seanca ka qenë "blic" dhe gjithçka është mjaftuar me një diskutim të shkurtër të deputetit të PS-së, Kastriot Islami, ku më pas është miratuar kalendari trejavor. Pas kësaj, deputetët janë shpërndarë për t‘u rimbledhur në seancën e ditës së enjte. Gjatë fjalës së tij, deputeti socialist, Islami, ka kërkuar ngritjen e një komisioni "ad hoc" për dublikatat. Duke u ndalur te procesi i pajisjes me karta identiteti, deputeti socialist e ka cilësuar si jo transparent dhe kaotik. Sipas tij, shanset që listat e zgjedhësve të hartohen të sakta konform kërkesave të Kodit Zgjedhor janë ende të ulëta. Për Islamin, nëse procesi i pajisjes me karta do të vazhdojë sipas procedurës së përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili është i pamjaftueshëm, i paqartë dhe ka mungesë të një kalendari veprimi për personat pa pasaportë që të pajisen me kartë identiteti. Ndaj në emër të grupit parlamentar të PS-së, Kastriot Islami ka kërkuar korrigjimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për t‘i dhënë prioritet pajisjes me karta të zgjedhësve që nuk kanë pasaportë dhe më pas të procedohet me shtetasit e tjerë. Kjo kërkesë, tha deputeti socialist, është e nevojshme, pasi procesi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti përputhet me periudhën zgjedhore. Ai i ka kujtuar mazhorancës në sallën e Kuvendit dhe nëpërmjet foltores së Kuvendit qeverisë se kanë mbetur vetëm 110 ditë deri në ditën e zgjedhjeve, ndërkohë që kapaciteti i kompanisë për të prodhuar karta identiteti në një ditë është 15 mijë karta në kushtet e mungesës së një kalendari veprimi. Ndaj në këto kushte, ka theksuar ai, është e pamundur që këto parametra të bëjnë të mundur realizimin në kohë të pajisjes me karta identiteti. Por, kryetari i seancës, Neritan Ceka, ka theksuar se tashmë kërkesa e grupit të PS-së është protokolluar në Kuvend dhe brenda dy javëve do të merret në shqyrtim. Më pas, do të jetë Kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila do të bëjë publik vendimin e marrë nëse mazhoranca është pro ngritjes së një komisioni "ad hoc" për publikimet apo jo.