Numri i zgjedhësve pa pasaporta, i ndikueshëm te rezultati zgjedhor
Ecuria e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti do të përcaktojë edhe fatin e rreth 750 mijë votuesve. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, konstatoi dje se kaq është numri i shtetasve në moshë votimi, por të papajisur me pasaporta. Sakaq, 100 mijë publikime janë një tjetër tregues që ngre pikëpyetje për standardin që do të kenë zgjedhjet e ardhshme. Shifra të tilla janë shumë të ndjeshme në raport me diferencën që ekziston mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por edhe në raport me totalin e votave që këto parti grumbullojnë si subjekte zgjedhore. Në nenin 105 të Kodit të ri Zgjedhor thuhet se pas hyrjes së zgjedhësit në qendrën e votimit, zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të identitetit. Si të tilla njihen, karta e identitetit dhe pasaporta. Në nenin 172 është përcaktuar një dispozitë kalimtare që flet për pajisjen e zgjedhësve me dokumente identifikimi për qëllime votimi. Aty thuhet se për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2009, ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore që bëjnë të mundur pajisjen me përparësi të zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta të vlefshme, me karta të identitetit të lëshuara në zbatim të ligjit. Akti duhet të parashikojë transferimin e të dhënave të sistemit të pasaportave në fuqi, me qëllim identifikimin dhe përpunimin e listës së shtetasve që nuk disponojnë një dokument të tillë dhe që gëzojnë të drejtën e zgjedhjes në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2009 dhe që, sipas këtij neni, do të pajisen me përparësi me karta identiteti. Shifra prej 750 mijë votuesish është shumë e konsiderueshme për numrin e shtetasve tanë dhe me ndikim direkt në rezultatin e zgjedhjeve. Opozita ka kërkuar publikisht që qeveria të përcaktojë masa inkurajuese, qoftë edhe dhënien e kartave të identitetit falas për këtë kategori, në mënyrë që zgjedhësit të mund të votojnë. Nëse u referohemi shifrave të zgjedhjeve lokale të vitit 2007 shohim se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike së bashku kanë rreth 577 mijë vota. Konkretisht, Partia Socialiste në sistemin proporcional arriti të grumbullonte një numër prej 305 582 votash dhe Partia Demokratike 271 705 vota. Pas tyre vinte Lëvizja Socialiste për Integrim me një numër prej 121 171 votash. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, totali i votave të vlefshme në këtë sfidë elektorale ishte 1 318 642.