Dokle: Në 30 prill do jemi 700 mijë
Protestën e radhës për krizën ekonomike dhe shtrenjtimin e kostos së jetesës, opozita e ka zhvilluar në Kodër-Kamëz. Të mbështetur nga deputeti Namik Dokle, banorët janë ankuar për rritjen e çmimeve dhe faturat e papërballueshme. “Protestojmë jo vetëm për hapjen e kutive. Të hapen kutitë, sepse duke hapur ato, hapet e drejta dhe rruga e zhvillimit të Shqipërisë. Sali Berisha duke mbajtur kutitë e mbyllura, synon të mbajë të mbyllura dosjet e ministrave të tij të korruptuar. Arrin deri aty sa t’i mbyllë gojën opozitës dhe të përjashtojë deputetët nga Parlamenti. S’kemi shtet e s’kemi ligj, bën Saliu si Maliq. Ne nuk do ta lejojmë më Sali Berishën të bëjë si Maliq”, tha Namik Dokle, deputet i PS-së. Ai u bëri thirrje banorëve të Kamzës që të bashkohen në protestën e madhe të 30 prillit tek “Dëshmorët e Kombit” për hapjen e kutive dhe kundër rrënimit ekonomik.