Vdes lideri i Koresë së Veriut, njerëzit vajtojnë në rrugë
Kim Jong II ndërroi jetë të shtunën, duke lënë pas pikëpyetje për të ardhmen e dinastisë së tij në pushtet
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Il, ka ndërruar jetë, duke lënë pas vetes pyetje dhe dyshime lidhur me të ardhmen e dinastisë së familjes së tij dhe të vendit që ka udhëhequr për 13 vite. "Po ju njoftoj me trishtim se udhëheqësi ynë i madh Kim Jong Il u nda nga jeta për shkak të sëmundjes së papritur në rrugën e tij, në një udhëtim më 17 dhjetor 2011”. Me këtë njoftim, të bërë nga një lexuesja e përlotur e lajmeve këtë mëngjes, Koreja e Veriut hyri në një epokë të re të pasigurisë, duke vënë fqinjët e këtij vendi të armatosur me armë bërthamore në gatishmëri. Vitet e sundimit të 69-vjeçarit Kim u shënuan me ndjekjen e tij për një program të armëve bërthamore në koston e izolimit ndërkombëtar dhe vuajtje të pathëna të popullsinë së uritur të këtij vendi të varfër. Vdekja e tij duket se do të lërë djalin e tij të tretë dhe më të ri, Kim Jong Un, në krye të vendit. U deshën dy ditë për të njoftuar vdekjen e udhëheqësit suprem, megjithatë u ngritën pyetje lidhur me të ardhmen e dinastisë së familjes. I njohur nga Koreja e Veriut, si "pasardhës i madh i çështjes revolucionare", Kim erdhi në pushtet nga vdekja e babait të tij, themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, në vitin 1994. Kim Jong Il besohet të ketë lindur më 16 shkurt 1942 dhe sipas të dhënave zyrtare në Korenë Veriore, ditëlindja e tij ishte shoqëruar me shpërfaqjen e një ylli të posaçëm dhe një ylberi të ndritshëm. Lideri që ishte i njohur për pirje të duhanit dhe konjakut, besohet të ketë pasur diabet dhe sëmundje të zemrës. Nën sundimin e tij ekonomia e Koresë së Veriut ra më thellë në varfëri dhe deri në një milion bashkatdhetarë të tij llogaritet të kenë vdekur nga uria shkatërruese në vitet 1990. Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barak Obama ka pasur një bisedë telefonike me Linë dhe "riafirmoi angazhimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për stabilitet në Gadishullin Korean". Shtetet e Bashkuara kishin pak marrëdhënie me Kim Jong Il, kryesisht si rezultat i ndjekjes së armëve bërthamore. Zyrtarët e shtetit kanë deklaruar një periudhë zie kombëtare deri më 29 dhjetor, ndërsa në rrugë janë parë turma njerëzish që vajtonin humbjen e diktatorit.