Rama paralajmëron sërish: Do prishen të gjitha ndërtimet pa leje në bregdet
Kryeministri i ardhshëm takim me përfaqësuesit vendor të zonave të bregdetit
Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, zhvilloi një takim me përfaqësuesit vendorë të zonave të bregdetit ku në fokus ishin ndërtimet e bëra në vijën bregdetare. Gjatë fjalës së tij, Rama paralajmëroi edhe një herë se do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje që janë ndërtuar në bregdet.
Ndërtimet
Kreu i PS-së, bëri të ditur edhe një herë se me ndërtimet në bregdet do të veprohet njësoj si u veprua me ndërtimet e bëra përgjatë Lanës në Tiranë. Do bëjmë atë që bëmë më Lanën në Tiranë, çdo ndërtim pa leje do të rrafshohet. Në një plan afatgjatë duhet një ligj apo ndërhyrje në ligj qoftë për mënyrën sesi menaxhohet hapësira publike në plazhe qoftë si do garantohet gjithë cikli i ndërtimeve pa leje, që duhet të jetë një cikël i mbyllur, jo i hapur si janë sot. Nëse cikli nuk mbyllet dhe nuk përcaktohet zinxhiri i përgjegjësive të qarta, nga identifikimi, goditja, ndëshkimi, këto vepra do të vazhdojnë të mbijnë në të gjithë territorin, u shpreh Rama. Kryesocialisti premtoi mbështetje maksimale për vendorët në realizimin e këtij aksioni. Ne nuk do kemi polici ndërtimore, por polici shteti, e cila do të marrë në mbrojtje territorin në çdo metër katror të Shqipërisë. Pushteti vendor duhet të ketë mbështetjen absolute të policisë së shtetit, ashtu sikundër përgjegjësia duhet të jetë e qartë kush bën çfarë. Gjëja që unë do kërkoj është që ky grup përfaqësuesish të PS-së në qeverisjen vendore, dhe të zgjedhurish në zona të kujdestarisë që lidhen me bregdetin të hartojë një projekt propozimesh për ndërhyrjet në ligj që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vijës bregdetare dhe ndëshkimet për ndërtimet pa leje, deklaroi Edi Rama.
Vendorët
Nga ana e tyre, vendorët kërkuan rishikim të ligjit pasi sipas tyre ligji i ndërtimeve dhe ai i legalizimeve bien ndesh në disa pika me njëri-tjetrin. Duhet demotivuar ndërtimi pa leje duke nisur nga ligji. Një person ndërton pa leje dhe pse ligji nuk e lejon, por pastaj ka mundësi të aplikojë të regjistrojë objektin, dhe këtë ligji ia lejon. Ndaj duhet rishikuar ligji sesi ka shpëtuar kjo në ligj nuk e di, tha kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako kërkoi hartimin e një ligji të ri për ndërtimet në zonën e plazhit.