E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: “Shuplaka” e OSBE, Rama nuk ishte i qetë, i lëviznin sytë

TIRANE-Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami deklaroi dje në një emision televiziv se “Edi Rama nuk ka shumë arsye për të qenë i kënaqur nga deklarata e shefit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares”. Sipas Islamit, ajo që zyrtari i lartë i OSBE-së ka thënë, në fakt është një shuplakë e fortë për politikat bojkotuese të shefit të opozitës. Deputeti socialist shtoi gjithashtu se deklarata e Soares përputhet plotësisht me ato që deputetët kundërshtarë të Ramës kanë deklaruar gjithë këtë kohë. “I lëviznin sytë më shumë seç duhej. Nuk ishte i qetë. Rama mbrëmë ishte vërtet shumë i shqetësuar, sepse realisht ajo ishte një shuplakë e gjithë skemës që ka ndjekur Rama deri tani. Atë që kemi thënë ne para 6 muajsh, ekzaktësisht, pa asnjë presje ndryshe e ka thënë zoti Soares mbrëmë”, - tha Islami. Sipas deputetit socialist, Rama ka dëmtuar seriozisht imazhin e partisë që drejton. Madje, një skenar që do e dëmtojë akoma më shumë këtë imazh është ai që selia rozë ka për 6 marsin, ditën kur zyrtarisht skadojnë mandatet e deputetëve. “Ka dhe një skenar javën e ardhshme, që të futen, të bëjnë një fjalim, të propozohet një draft, ligj-special për hapjen e kutive apo për investigimin e fletëve dhe të dilet me idenë që kjo nuk quhet ndërprerje e bojkotit, kjo quhet vazhdim i bojkotit, por me një skenar qesharak”, - tha Islami.
Dje Kyetari i Partisë Socialiste e cilësoi si një tjetër progres pozitiv të betejës së opozitës deklaratën e presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joae Soares, për hetim kuvendor të zgjedhjeve në respekt të Kushtetutës.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›