E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi i jep “Medaljen e Mirënjohjes” drejtorit të USAID-it në Shqipëri



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekoruar dje me “Medaljen e Mirënjohjes”, drejtorin e Misionit të USAID-it në Shqipëri, Eduard T. Landau. Pas nderimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të dekretit nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës i dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes” z. Eduard T. Landau dhe dekretin me motivacionin: “Për kontribut të vyer në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane”. Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Landau ndërsa ka falënderuar presidentin Topi për medaljen, ka vënë theksin në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. “Zoti President, dëshiroj t’ju falënderoj për këtë medalje! Ndihem jashtëzakonisht i nderuar për këtë nder që po më bëni, për punën që qeveria e SHBA-ve ka bërë përmes agjencisë së USAID-it në ndihmë të qytetarëve të Shqipërisë. Suksesi i përpjekjeve tona është vërtet një rezultat i vlerave që ne ndajmë së bashku, si qytetarët e Shqipërisë dhe ata të SHBA-ve. Ne besojmë në lirinë, drejtësinë përmes forcimit të institucioneve demokratike. Besojmë në tregun e lirë dhe në rritjen ekonomike, duke shfrytëzuar shpirtin ndërmarrës të qytetarëve të këtij vendi. Besojmë në një qeverisje që funksionon në mënyrë efikase. Besojmë në veprime të përbashkëta për të përmirësuar situatën ndërkombëtare”, - është shprehur Landau. Ai ka vlerësuar faktin se Shqipëria ka qëndruar gjithmonë si një aleate e vërtetë e SHBA-ve. Landau, gjithashtu, ka shprehur besimin e tij për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në strukturat atlantike, ndërsa vlerësoi se qëndrimi i tij në Shqipëri ka qenë një “eksperiencë e jashtëzakonshme”.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›