E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islanda ratifikon anëtarësimin e Shqipërisë në NATO



Në vijim të lobimit dhe komunikimit të Kuvendit të Shqipërisë me parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, kryetarja e Kuvendit, Topalli, ka marrë dje një letër nga Parlamenti i Islandës lidhur me procesin e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Në këtë letër, Parlamenti i Islandës njofton se rezoluta e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar më datën 10 shkurt 2009 në leximin e parë në parlament dhe i është kaluar komisionit të jashtëm përpara se të bëhet leximi i dytë dhe ratifikimi. Pavarësisht zgjedhjeve të reja të prillit në Islandë, në këtë letër theksohet se Parlamenti i Islandës do ta votojë këtë protokoll së shpejti, në mënyrë që ratifikimi të bëhet përpara samitit të përvjetorit të NATO-s në prill.

Berisha: “Ratifikimi i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO do të kompletohet brenda afatit”

Qeveria miratoi gjatë mbledhjes së djeshme paketën e vendimeve për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Kryeministri tha se paketa e vendimeve përbën bazën ligjore dhe nënligjore për ta bërë Shqipërinë një vend të përshtatshëm, anëtar të NATO-s. Duke evidentuar faktin se procesi i ratifikimit nga vendet anëtare të NATO-s të protokollit të anëtarësimit për Shqipërinë ka ecur pozitivisht, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për këto vende dhe shprehu bindjen se procesi i ratifikimit do të përfundojë së shpejti. “Procesi i ratifikimit të protokollit po ecën me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe dua të shpreh një mirënjohje të thellë ndaj të gjitha vendeve anëtare që përparësuan ratifikimin e protokollit në një kohë rekord. Ky proces do të kompletohet në afatin më optimal që do të përcaktojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, - u shpreh kryeministri. Protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në Traktatin e Aleancës së Atlantikut të Veriut është ratifikuar nga pjesa më e madhe e vendeve anëtare të NATO-s.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›