Shqipëria në kërkim të golave
Golin e fundit në një ndeshje zyrtare të Shqipërisë e ka shënuar mbrojtësi Armend Dallku në fitoren 3-0 kundër Maltës (i pari i tij me fanellën kuqezi), ndërsa në një ndeshje miqësore e ka realizuar mesfushori i avancuar Ervin Skela në barazimin 1-1 kundër Azerbajxhanit në Baku (goli i dhjetë i fantazistit me Kombëtaren).
Të dy lojtarët, i pari nga Kosova (por dhe me pasaportë shqiptare) dhe i dyti nga Shqipëria (por dhe me pasaportë italiane), do të jenë pjesë e formacionit shartues kundër Maltës, në rikthimin pas nëntë vjetësh të Shqipërisë në “ishullin e bekuar”, ku ka fituar në vitin 2000 trofeun ndërkombëtar “Kupa Rothmans”.
Ervin Skela, atëherë në radhët e amatorëve të Cheminzit në Gjermani, i ka të gjalla emocionet e përjetuara në ngritjen e kupës malteze, një emocion që e kishte shijuar 54 vjet më parë Pal Mirashi, autori i të parit gol ndërkombëtar të Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik, që përkoi me fitimin e turneut dhe me një foto të mrekullueshme të legjendës Loro Boriçi, me trofeun dhe një kurorë dafine në kokë.
Në fakt, Malta ka qenë porta që Shqipëria ka “shpuar” më shumë se ndaj ndonjë kundërshtari tjetër. Boll të kujtojmë se në tri ndeshjet e fundit me të njëjtin rezultat të thellë 3-0, në dy miqësore ashtu si dhe në të vetmin takim zyrtar të luajtur.
Kombëtarja e drejtuar nga Medin Zhega fitoi 3-0, më 15 nëntor 2000 (Rudi Vata, Bogdani, 2 gola). Seleksioni i udhëhequr nga kroati Oto Bariç, më 22 gusht 2007, po 3-0 (Salihi, Berisha, K Duro). Dhe përfaqësuesja e drejtuar nga holandezi Ari Han, më 10 shtator 2008 (takim zyrtar), përsëriti të njëjtin rezultat: 3-0, (Bogdani, K.Duro, Dallku).
Nga katër sulmuesit që ka thirrur Han për ndeshjen e pestë zyrtare të Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit “Afrika e Jugut 2010” - Erion Bogdani, Besart Berisha, Hamdi Salihi e Xhevair Sukaj - tre të parët kanë realizuar më parë në portën malteze. Madje, Erion Bogdani, i cili me pesë golat e tij në kualifikueset e Botëroreve është dhe kryegolashënuesi shqiptar, në këtë kompeticion (në eliminatoret e europianëve më i miri është Edmond Kapllani, po me pesë gola), ka shënuar tri herë kundër Maltës.
Gjithsesi, pas 180 minutave pa gol në dy ndeshjet e fundit kundër Hungarisë (humbëm 2-0 në Budapest) dhe barazimit historik në Braga me Portugalinë, Malta ofron mundësinë më të mirë për të rigjetur kënaqësinë e golit.
Erion Bogdani (48 ndeshje, 9 gola), Besart Berisha (12 ndeshje, 2 gola), Hamdi Salihi (10 ndeshje, 1 gol) apo dhe Xhevahir Sukaj (1 ndeshje, 0 gola) duhet të jenë të vetëdijshëm se të gjithë presin prej tyre golat që do t’i jepnin Shqipërisë fitoren e dytë në pesë ndeshjet e para, por dhe kryesimin e përkohshëm të grupit.
Duke filluar nga sulmuesit Erion Bogdani, Hamdi Salihi, Besart Berisha e deri te mesfushori Klodian Duro, përbëjnë katërshen, që fare mirë mund quhet: “Malta na sjell fat”. Edhe pse për Berishën ndoshta nuk mund cilësohet kështu, pasi ai, përveçse u ka shënuar maltezëve, ka pësuar një dëmtim të rëndë në miqësoren e 22 gushtit të vitit 2007.
Gjithsesi, statistikat “flasin” në favor për këta lojtarë, të cilët janë të grumbulluar për këtë ndeshje eliminatore nga trajneri Ari Han. Me më shumë gola ndaj Maltës, listën e kryeson Bogdani, tre të tillë. Fillimisht, ai ka shënuar një dygolësh në miqësoren e 15 nëntorit të vitit 2000, kur kuqezinjtë fituan 3-0.
Goli tjetër i Bogdanit është i freskët, më 10 shtatorin e vitit 2008, në triumfin po 3-0, por këtë herë me vlerën e tri pikëve, pasi ishte ndeshje eliminatore. Ndërkohë, edhe pse nuk është sulmues i mirëfilltë, Klodian Duro e ka treguar veten ndaj maltezëve, ku si për koincidencë ka vulosur dy herë fitoret e kuqezinjve më parë, në miqësoren e 22 gushtit të 2007-s dhe së fundmi në ndeshjen e eliminatore në “Qemal Stafa” ku mesfushori shënoi golin e dytë në fitoren e pastër 3-0.
Por histori me Maltën ka edhe Hamdi Salihi, i cili ka realizuar golin e tij të parë me kombëtaren, pikërisht ndaj kësaj skuadre. Në miqësoren e 2007-s, edhe Besart Berisha ka shënuar, por dëmtimi në këtë ndeshje e bëri golin të papërfillshëm. Gjithsesi, e rëndësishme është që këta lojtarë tashmë kanë një shans tjetër, për të treguar se e kanë bërë “zakon” golin me Maltën.
Por shifrat thellohen edhe më kur listës së sulmuesve i shtohet edhe mbrojtësi Armend Dallku, i cili e gjeti rrjetën e parë kuqezi pikërisht në përballjen e fundit me Maltën më 10 shtator, kur vulosi shifrat përfundimtare 3-0. Kështu, “hallet” për trajnerin Han duket sikur thjeshtësohen disi kur thuajse çereku i lojtarëve të grumbulluar për sfidën me ishullorët kanë mundur të shënojnë 7 nga 12 golat që Shqipëria ka realizuar në portën malteze.
10 ndeshjet e fundit të Shqipërisë
19.11.08 Azerbajxhan-Shqipëri 1-1
15.10.08 Portugali-Shqipëri 0-0
11.10.08 Hungari-Shqipëri 2-0
10.06.08 Shqipëri-Maltë 3-0
06.09.08 Shqipëri-Suedi 0-0
20.08.08 Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0
27.05.08 Shqipëri-Poloni 0-1
21.11.07 Shqipëri-Rumani 1-6
17.11.07 Shqipëri-Bjellorusi 2-4
17.10.07 Shqipëri-Bullgari 1-1
10 ndeshjet e fundit të Maltës
15.10.08 Maltë-Hungari 0-1
11.10.08 Danimarkë-Maltë 3-0
10.06.08 Shqipëri-Maltë 3-0
06.09.08 Maltë-Portugali 0-4
20.08.08 Maltë-Estoni 1-2
30.05.08 Austri-Maltë 1-5
26.03.08 Maltë-Lihtenshtejn 7-1
06.02.08 Maltë-Bjellorusi 0-1
04.02.08 Maltë-Islandë 1-0
02.02.08 Maltë-Armeni 0-1
21.11.07 Maltë-Norvegji 1-4
Grupi 1
Skuadra ND F B H G+ G- P
Danimarka 3 2 1 0 6 2 7
Hungaria 4 2 1 1 4 2 7
Portugalia 4 1 2 1 6 3 5
Shqipëria 4 1 2 1 3 2 5
Suedia 3 1 2 0 2 1 5
Malta 4 0 0 4 0 11 0
Bastet dhe FIFA pro Shqipërisë
Kompanitë e basteve si rrallëherë janë me Shqipërinë. Të gjitha parashikojnë fitoren e Shqipërisë, duke e konsideruar atë dukshëm si favorite.
Por në ndihmë të kuqezinjve janë dhe renditjet e publikuara çdo muaj nga qeveria e futbollit botëror, FIFA. Renditja e re do të publikohet, ajo e muajit shkurt 2009, do të publikohetpikërisht ditën e ndeshjes Maltë-Shqipëri, më 11 shkurt, por duke iu referuar atyre të muajit janar, diferencat janë të dukshme midis dy vendeve.
Shqipëria është në Top-100 vendet më të mira, ose më saktë e 79-a në renditjen e FIFA-s, ndërkohë që Malta është e 148-a. Në Europë, Shqipëria është e 36-a, ndërkohë që Malta është e 49-a nga 53 vende që aderojnë në UEFA.
Sipas kompanive të basteve, kuqezinjtë e Ari Hanit kanë më shumë shanse për të fituar, ndonëse luajnë në transfertë. Fitorja e përfaqësueses sonë është kuotuar me koeficientin 1.55, barazimi është kuotuar 3.10, ndërsa fitorja e Maltës vendëse është kuotuar 5.77.
BALLË PËR BALLË
Renditjet në FIFA
Shqipëria e 78-a
Malta e 148-a
Vende: 205
Renditjet në UEFA
Shqipëria e 36-a
Malta e 49-a
Vende: 53
Malta, kundërshtari i dytë më i dobët i Shqipërisë
Pas Luksemburgut, në eliminatoret e Kampionatit Europian 2008, Malta është kundërshtari i dytë më i dobët me të cilin është përballur Shqipëria. Ndaj “bankierëve” luksemburgas, Shqipëria, nën drejtimin e kroatit Oto Bariç, i fitoi të dy takimet: 2-0 në Tiranë dhe 3-0 në Luksemburg (ku spikati Kapllani me tre gola në dy takimet).
Trajneri holandez Ari Han, me fitoren 3-0 në ndeshjen e parë kundër Maltës në kualifikueset e Botërorit 2010, ka përmbushur vetëm gjysmën e misionit kundër “piratëve”, ndërsa është i bindur se skuadra e tij nuk do të dështojë në ballafaqimin e së mërkurës.
Malta, vendi i 148-të në renditjen botërore, vjen në përballjen me Shqipërinë pas katër humbjeve rresht në eliminatore, duke pësuar 11 gola pa shënuar asnjë.
Skuadra e drejtuar nga Dushan Fitzel nuk fiton prej gjashtë ndeshjesh rresht, saktësisht prej 26 marsit të vitit 2008, kur shpartalloi në një miqësore Lihtenshtejnin me rezultatin e thellë 7-1.
Historia e statistikave është kundër maltezëve. Malta ka arritur gjatë historisë së saj futbollistike vetëm katër fitore në 302 ndeshje të luajtura në kompeticione dhe miqësore, ku ajo e fundit është kundër Hungarisë (2-1) për eliminatoret e Euro 2008, më 11 tetor 2006. Të tjera fitore janë me Lihtenshtejnin (7-1, miqësore, 2008), Greqinë (1975, zyrtare) dhe Islandën (1982, zyrtare).
Në eliminatoret e Kampionatit Botëror, nga 72 ndeshje të zhvilluara, Malta ka fituar vetëm një, kështu që zor të besohet se fitorja e dytë e tyre në këtë kompeticion do të vinte pikërisht ndaj Shqipërisë.
Duke parë statistikat e lojtarëve të përfaqësueses malteze, golashënuesi më i mirë i Maltës është Majkëll Mifsud: 20 gola në 62 ndeshje ndërkombëtare, ndërkohë që lojtari me më shumë ndeshje është sulmuesi Gilbert Agius, me një numër të frikshëm takimesh ndërkombëtare: 111 ndeshje.
30-vjeçari Xhorxh Malia, i cili u aktivizua edhe në humbjen 0-1 me Islandën (19 nëntor 2008), ka në koleksionin e tij 61 ndeshje ndërkombëtare (5 gola).
Veteranë të tjerë janë Brian Said (84 ndeshje, 5 gola) dhe Luke Dimech (62 ndeshje, 1 gol). Sulmuesi Terenc Scheri, ai që mund të “trembë” bashkë me Mifsudin Shqipërinë, ka 15 ndeshje në koleksionin e tij, por vetëm një gol të shënuar.
11 Shkurt 2009