E Diel, 1 Nëntor 2026

Islanda, toka e shpresës për Shqipërinë

FOTO E MESITNga Gentian Alinani

Kuqezinjtë kërkojnë hakmarrje dhe luajnë kartën e fundit për në Brazil

Nga Lubjana në Rekjavik për të luajtur sërish ëndrrën. Ekipi i kombëtares shqiptare do të kërkojë patjetër fitore përballë ekipit që i vodhi tre pikë në Tiranë. Grupi në të cilin bën pjesë ekipi kombëtares shqiptare është shndërruar në grupin e hekurt në këto eliminatore të botërorit dhe ende nuk dihet se kush do të jetë ekipi që do të presë biletën për në Brazil. Në lojë për ëndrrën e madhe është edhe kombëtarja e Xhani De Biazit që do të luajë sot një nga ndeshjet më historike të saj, ku diskutohet gjithçka.

Islanda në këtë mënyrë është shndërruar në tokën e shpresës për shqiptarët, por nga ana tjetër islandezët do të bëjnë të pamundurën që ta shndërrojnë në festë mbrëmjen e sotme duke qenë se janë në të njëjtën situatë ashtu si Shqipëria. Dy ekipet janë në vendin e tretë dhe të katërt me nga 10 pikë secila prandaj kjo ndeshje është një finale më vete.

Sfidë për hakmarrje

Nëse kthehemi prapa dhe mendojmë të gjitha ndeshjet e kombëtares shqiptare, ajo ndaj Islandës ishte e para ironi fati. Ekipi i drejtuar nga trajneri italian dominoi të gjithë ndeshjen, por në fund doli pa pikë. Duke harruar për një çast Lubjanën, humbja ndaj Islandës ishte ndeshja që digjte më shumë dhe kujtohej me hidhërim nga trajneri, por edhe nga lojtarët. Goditja e Sigurdson ndërpreu për një moment ëndrrën kuqezi, e cila mori jetë pak muaj më vonë në Oslo dhe më pas sërish në Tiranë.

Ekipi i kombëtares shqiptare pritet të nxjerrë gjithë inatin për atë padrejtësi që fati u bëri ndaj Sllovenisë dhe për humbjen e pamerituar. Të gjithë lojtarët janë të bindur se mund të fitojnë duke mos përsëritur gabimet e ndeshjeve të mëparshme. Nga Berisha në portë dhe deri tek Salihi në sulm, objektivi është një dhe i vetëm… të kthehen me tre pikë nga Islanda.

Shansi i fundit?

Është apo jo shansi i fundit ende nuk dihet sepse në këtë grup gjithçka mund të ndodhë. Ecuria e kuqezinjve do të varet edhe nga ndeshja mes Norvegjisë me Zvicrën, ku këta të fundit pritet të fitojnë dhe të blindojnë vendin e parë në grup. Nëse Zvicra fiton, ekipi i kombëtares shqiptare do të ishte ende në lojë edhe me një barazim, por këtë herë mund të parakalohej nga Sllovenia që luan një ndeshje të lehtë ndaj Qipros.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›