E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare fiton çmimin “Princi i Asturias”

 

Ai “përfaqëson nivelin më të lartë të letërsisë shqipe.. ka kapërcyer kufijtë dhe e ka bërë universal zërin kundër totalitarizmit”. Ky është motivi, mbi bazën e të cilit shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, u nderua dje paradite me çmimin spanjoll për letërsinë, “Princi i Asturias” (Prince of Asturias Award for Letters). Shkrimtari shqiptar e fitoi një garë aspak të lehtë, mes shkrimtarëve të përmasave botërore si Milan Kundera, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës që jetojmë, italianit Antonio Cabucchi, holandazit Cees Nooteboom, shkrimtares kanadeze Alice Munro, e cila është edhe fituesja e çmimit Man Booker International Prize etj. Në këtë edicion numëroheshin 31 kandidatura nga 25 vende të botës, të cilët konkurronin për çmimin që u akordohet “atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale në fushat e letërsisë apo gjuhësisë”. Ky çmim ka një vlerë monetare prej 50 mijë eurosh. Juria që përcaktoi fituesin, këtë vit përbëhej nga Andres Amoros, themeluesit të gazetës ‘La Razon’ dhe fituesit të çmimit “Prince of Asturias Prize for Communications and Humanities” në vitin 1991, Luis Maria Anson, shkrimtarit Juan Jose Armas Marcelo dhe gazetarëve White Berasategui dhe Maria Luisa Blanco. Vitin e kaluar, fituesja e Çmimit Princi i Asturias për Letërsinë ishte kanadezja, Margaret Atwod, të cilën juria e nderoi për veprën e saj të shkëlqyer, sidomos në mbrojtjen e dinjitetit të grave. Të tjerë autorë që kanë fituar këtë çmim janë Jose Hierro, Juan Rulfo, Angel Gonzalez, Mario Vargas Llosa, Camilo Jose Cela, Claudio Rodriguez, Carlos Fuentes, Francisco Umbral, Gunter Grass, Augusto Monterroso, Doris Lessing, Arthur Miller, Susan Sontag, Claudio Magris, Paul Auster dhe Amos Oz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›