Gjykata e Lartë, ndahet për Gabën
Fatos Mahmutaj
Gjinovefa Gaba, ish-kryetarja e Apelit të Vlorës, e shkarkuar nga KLD dhe e rikthyer (de jure) në punë nga Gjykata e Lartë, nuk arriti të merrte të gjitha votat e Kolegjeve të Bashkuara dy ditë më parë. Burime nga Gjykata e Lartë pohojnë se gjatë votimit pro rikthimit të Gabës në dhomën e këshillimit, katër anëtarë të Kolegjeve vetuan pro vendimit të KLD-së, pra kundër kthimit të saj në detyrë, ndërsa 11 anëtarë të tjerë pro Gabës. Ndërkaq dy gjyqtarë nuk morën pjesë në gjykim. Kjo gjykatë tentoi ta rikthente në punë Gabën edhe një vit më parë, në fshehtësi të plotë, në të njëjtën kohë kur ajo po hetohej nga Prokuroria e Kavajës për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”, por publikimi në media i këtij fakti, bëri që Kolegjet e Bashkuara të shtynin shqyrtimin e kërkesës së saj. Emri i Gabës është lakuar publikisht në fillim të vitit 2006 kur ish-presidenti Alfred Moisiu e dekretoi si anëtare të Gjykatës së Lartë, por shumica parlamentare e djathtë e rrëzoi në Kuvend kandidaturën e saj. Kryeministri Sali Berisha, duke mbrojtur Kryeparlamentaren Jozefina Topalli, e cila bllokoi në Kuvend votimin e Gabës pohoi se: “Akuzohet (Topalli), se ka bllokuar dekretin e Presidentit për gjykatësen Gjinovefa Gaba. Këtu janë dokumente sekrete, por unë do t’ua bëj me dije. Jo të plota, për të ruajtur sekretin shtetëror... Për zonjën Gaba, për njerëzit e saj më të afërt, në drejtim të zotit Rexhep Meidani, zotit Pandeli Majko, kryeministër dhe zotit Petro Koçi si Ministër i Rendit janë nisur një seri dokumentesh, asnjëri prej tyre nga opozita. Që të gjitha këto nga organet e luftës kundër drogës dhe zbatimit të ligjit. Dokumenti është numër 1761, datë 10 tetor 1998, ka dokumente të vitit 1999 dhe të vitit 2000, datë në të cilën në makinën e familjes së zonjës Gaba gjendet drogë. Pra, cili do të ishte parlamentari që do të mund të merrte përsipër të bënte ndryshe, vetëm se do të mund të pengonte një kandidaturë të tillë”, - tha Kryeministri Berisha në atë kohë. Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë kishte zhvilluar kontroll një mujor në Apelin e Vlorës, gjykatë e drejtuar nga Gjinovefa Gaba ku u konstatuan dhjetëra shkelje. Ndër më të rëndat ishte problemi në administrimin e dokumentacionit të institucionit, ndërsa ajo që bëri maxhorancën e djathtë qeverisëse, në vitin 2006 të insistonte në rrëzimin e Gjinovefa Gabës ishte fakti i lirimit nga qelia të njërit prej anëtarëve të bandës së Lushnjës. Nisur nga këto, Ministri i Drejtësisë i kërkoi KLD-së procedimin disiplinore me shkarkimin nga puna të gjykatëses Gjinovefa Gaba.
Shkeljet e Gabës në Apelin e Vlorës
1) Korrigjime të parregullta në regjistër, pasi nuk vërtetohen me nënshkrimin e korrigjuesit (korrigjim me fshirje boje kimike dhe rishkrim në 3 raste ose fshirje direkte me prishje dhe rishkrim sipër, 11 raste)
2) Data kontradiktore në raportin numër veprimi me datën progresive (20 raste)
3) Lënie fletësh ose rubrikash bosh (45 raste në radhorin e vendimeve civile, vetëm për vitin 2005)
4) Mosmbyllja e regjistrave themeltarë në fund të vitit
5) Lënie e rubrikave të bardha, pa plotësim
6) Mosfiksim i mënyrës së caktimit të çështjeve
7) Çështje të caktuara me short për shkaqe të ndryshme i jepen pa short një gjyqtari tjetër ,pa u vendosur shënimi përkatës, ndërkohë që mund të rezultojë që është gjykuar nga një gjyqtar tjetër i tretë
8) Hedhje shorti, duke qenë jashtë shtetit
9) Dhënie vendimi, duke qenë jashtë shtetit
10) Dhe më e rënda, favorizim i krimit deri në lirimin e anëtarëve të bandave më të rrezikshme
Kolegjet, 4 anëtarë kundër Gabës
TIRANE – Katër prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë votuan dy ditë më parë kundër rikthimit të Gjinovefa Gabës në radhët e togave të zeza. Ky institucion, i cili ka kompetencë gjykimin e kërkesave të gjyqtarëve të shkarkuar nga KLD-ja, pasi dëgjoi dje fjalën e avokatit të Gabës, pasi vetë ish-gjykatësja pohoi vetëm se ishte dakord me avokatin, u nda në dy grupe pro dhe kundër vendimit të shkarkimit të saj nga detyra. Burime nga KLD-ja pohuan dje se Këshilli menjëherë sapo të njihet me vendimin e zbardhur të Kolegjeve të Bashkuara do të vendosë nëse do e ankimojë apo jo atë në Gjykatën Kushtetuese. “Nëse do të vërehen në të shkelje Kushtetuese sigurisht që do ankimohet”, pohuan dje burime të KLD-së. f.m.
Topalli
Me anë të një shkrese të veçantë, Topalli i kërkoi në fillim të vitit 2006 Komisionit Parlamentar të Ligjeve të rishqyrtojë kandidaturën e Gabës, si anëtare të Gjykatës së Lartë, të dekretuar nga Presidenti i atëhershëm Alfred Moisiu. Pas kësaj, Topalli bllokoi votimin e saj në Kuvend.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha pohoi në vitin në 2006 se dispononte dokumente sekrete, për Gabën të viteve 1998 – 2000, datë në të cilën, sipas Berishës, në makinën e familjes së zonjës Gaba gjendet drogë. “Cili do të ishte parlamentari që do të votonte Gabën, vetëm se do ta pengonte”, - tha Berisha.
Bumçi
Aldo Bumçi, ish-ministri i Drejtësisë urdhëroi në mars të vitit 2006 kryerjen e një inspektimi në Gjykatën e Apelit të Vlorës, institucion i cili drejtohej nga Gjinovefa Gaba. Pas kontrollit në këtë institucion u konstatuan shkelje të shumta, mes të tjerash edhe falsifikim të vendimeve gjyqësore.