Evropa ul interesat, bankat shqiptare i shtrenjtojnë
Banka e nivelit të dytë në Shqipëri vazhdojnë të lëvizin në kah të kundërt me mëmat e tyre në botë. Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, theksohet se ndryshe nga ulja e normave të interesit në Evropë, bankat shqiptare bëjnë të kundërtën. “Rënia e normave të interesit në tregun ndërkombëtar nuk ka çuar në uljen e interesave të kredisë në valutë në tregun e brendshëm”. Banka e Shqipërisë thekson se buxheti i shtetit është prekur nga rritja e shpenzimeve kapitale, duke i tërhequr vëmendjen qeverisë për të rishikuar parametrat. Sipas raportit, problem është edhe bilanci i jashtëm, që është përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajve të parë të këtij viti. Banka thekson në raport se Shqipëria është tashmë në krizë, pasi rritja ekonomike dhe besimi i konsumatorëve dhe bizneseve parashikojnë një të ardhme të zymtë.
Kriza
“Analiza e një sërë treguesish ekonomikë dhe financiarë sugjeron për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend gjatë vitit 2009, në përgjigje të ndikimeve të krizës ekonomike botërore. Ulja e ritmeve të kredisë, ngadalësimi i zgjerimit monetar, zhvillimet në bilancin e pagesave gjatë muajve të parë të vitit 2009, ecuria e disa treguesve fiskalë dhe opinionet e biznesit dhe konsumatorëve, sugjerojnë se kërkesa e brendshme ka ardhur në rënie. Ky zhvillim është reflektuar në reduktimin e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve dhe në uljen e presioneve të brendshme inflacioniste”.
Kredia
“Normat më afatgjata të interesit kanë shënuar një rritje të mëtejshme, duke reflektuar si ç’balancimin e kërkesës dhe ofertës për fonde në këto maturitete, ashtu edhe rritjen e primeve perceptuar të rrezikut nga ana e ofruesve të fondeve. Këto zhvillime janë pasqyruar edhe në rritjen e normave të interesit të kredive në lekë, të cilat ndjekin nga afër ecurinë e normave të interesit të letrave afatgjata të borxhit të qeverisë. Nga ana tjetër, rënia e normave të interesit në tregun ndërkombëtar nuk ka çuar në uljen e interesave të kredisë në valutë në tregun e brendshëm. Edhe gjatë muajit maj ecuria e lekut ka vijuar thellimin e tendencës nënçmuese, ndërkohë që ecuria e tij në muajin qershor paraqet një sjellje mbiçmuese, kryesisht nën efektin e faktorëve sezonalë. Në përgjigje të zhvillimeve të ekonomisë reale dhe të ecurisë së tregut financiar, kredia për ekonominë ka vijuar të ngadalësohet më tej në muajin prill. Norma vjetore e rritjes së saj (e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit), shënoi vlerën 21 për qind në muajin prill kundrejt vlerës 25 për qind të shënuar në muajin mars. Shtrëngimi i kushteve të përgjithshme të kredidhënies është ndjerë më tepër në plotësimin e kërkesës për huamarrje në valutë. Në muajin prill, pesha e kredisë në lekë ndaj totalit të kredisë u rrit në 31 për qind, nga 28 për qind në fund të vitit 2008".
Buxheti
“Rritja e shpenzimeve është diktuar në një masë të madhe nga rritja e shpenzimeve kapitale, ndërkohë që ecuria e të ardhurave ka reflektuar ngadalësimin e aktivitetit ekonomik gjatë muajve të parë të vitit. Bilanci i të ardhurave dhe shpenzimeve ka rezultuar në një rritje të deficitit buxhetor përtej shifrave të planifikuara. Ky zhvillim kërkon vëmendjen e duhur të autoriteteve fiskale, për të bërë të mundur në çdo rast një ecuri të balancuar të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore. Ruajtja e parametrave të planifikuar buxhetorë do të ndihmojë kontrollin e ekuilibrave makroekonomikë të vendit dhe do të lehtësojë administrimin e tregut të brendshëm financiar”.
Tregtia, përkeqësohet deficiti
Në raportin e saj, Banka e Shqipërisë thekson se tremujori i parë i vitit 2009 dëshmon për përkeqësim të pozicionit të jashtëm të vendit si pasojë e zgjerimit të deficitit korent, i cili ka rezultuar rreth 25 për qind më i lartë se një vit më parë. “Rënia e kërkesës së brendshme dhe të jashtme ka sjellë rënien e importeve dhe të eksporteve, duke rezultuar me një ngushtim të lehtë të deficitit të bilancit tregtar. Eksportet dhe importet e mallrave shënuan rënie vjetore, respektivisht prej 14.7 për qind dhe 5.6 për qind. Megjithatë, rënia e suficitit të të ardhurave korente dhe të shërbimeve ka sjellë zgjerimin e deficitit të llogarisë korente. Ky zgjerim nuk është mbuluar plotësisht nga të hyrat e llogarisë kapitale dhe financiare, duke rezultuar në një deficit të lehtë të bilancit të pagesave për këtë periudhë. Një zhvillim i tillë është duke u monitoruar me kujdesin e duhur nga Banka e Shqipërisë, duke vlerësuar implikimet e mundshme të tij për ekuilibrat makroekonomikë dhe duke faktorizuar nevojën për një qëndrueshmëri afatgjatë të pozicionit të jashtëm valutor të ekonomisë në vendimmarrjen e saj”.