Holandë, masakrohen 2 emigrantë
BERAT/ DILAVER XHELILI
Vriten në mënyrë barbare, duke iu prerë më pas kokat dy emigrantëve shqiptarë në Holandë. Gerti Kondi, 25 vjeç dhe Ervin Bendo, 28 vjeç nga fshati Velabisht i Beratit janë gjetur nga policia holandeze të masakruar në apartamentin e tyre. Lajmi i vdekjes së mënyrë kaq makabre e dy djemve, kushërinj të afërt me njëri–tjetrin ka terrorizuar gjithë banorët e këtij fshati. Burime të policisë bënë të ditur se pala holandeze i dorëzoi në aeroportin e Rinasit trupat e dy emigrantëve mbrëmjen e së martës, ndërsa varrimi i tyre u bë dje. Në fshatin Velabisht, pak kilometra larg qytetit, kishte rënë zija. Asnjëherë në këtë fshat nuk kishte ndodhur një ngjarje më e rëndë se kjo, kur dy kushërinj emigrantë i sjellin në banesë të vrarë me armë zjarri. Mësohet se dy djemtë jetonin prej katër vitesh në Holandë. Ende nuk dihet motivi i fshehjes së kombësisë së tyre, pasi ata rezultonin në shtetin e huaj si shtetas spanjollë. Madje në momentin e zbulimit të trupave të tyre, policia vendase konfirmoi fillimisht vrasjen e dy spanjollëve, pasi ata dispononin edhe pasaporta të këtij vendi. Por pas hetimeve të kryera rezultoi se viktimat nuk ishin spanjollë, por shtetas shqiptarë. Dy kushërinjtë janë vrarë në dhomën e tyre nga persona ende të paidentifikuar. Në fillim ata janë ekzekutuar me armë zjarri. Sikur të mos u mjaftonte krimi, burimet nga policia e Beratit tregojnë se autorëve iu kanë prerë atyre kokat e më pas kanë tentuar t’u djegin edhe trupat me lëndë kimike. Pas krimit, i cili mendohet të ketë ndodhur rreth një javë më parë, autorët kanë mbyllur derën e apartamentit ku ata jetonin dhe janë larguar. Të dy kushërinjtë e vrarë e të masakruar janë gjetur pas katër ditësh. Trupat kishin nisur të dekompozoheshin. Fqinjët e tyre kanë ndier erën e keqe që vinte nga apartamenti i tyre dhe kanë sinjalizuar policinë. Kjo e fundit mbërriti për të verifikuar informacionin e dhënë dhe konstatoi krimin makabër që kishte ndodhur. Pas konstatimit të shtetësisë shqiptare të viktimave, policia holandeze kreu edhe analizat për të kryer identifikimin e plotë të tyre. Kjo pasi njëri prej viktimave kishte edhe të vëllain që jetonte në një qytet tjetër të Holandës dhe ende nuk dihej se cili prej tyre ishte i vrari. Trupat e pajetë të dy të rinjve u përcollën dje në varrezat e fshatit. Mësohet se policia e Holandës ka nisur hetimit për zbulimin e kësaj ngjarjeje të rëndë ndodhur në shtetin e tyre. Ndonëse nuk konfirmohet zyrtarisht, një nga pistat e hetimit ka të bëjë edhe me veprimtarinë e mundshme të viktimave në trafik, çka mund të ketë sjellë edhe prishjen e pazareve ndërmjet grupeve rivale. Ajo që policia konstatoi është se nga mekanizmi i krimit duket se autorët kanë pasur mllef të madh ndaj dy kushërinjve beratas.