Merr fund aventura e Borjes, bashkohet me kufi me Kosovën
KUKES - Pas një sërë protestash dhe kërkesave të vazhdueshme të banorëve të fshatit Borje në komunën Shishtavec të Kukësit është legalizuar pika e kalimit kufitar me Kosovës, e mbyllur që prej vitit 1948. Me praninë e qindra banorëve, autoriteteve lokale nga Kukësi e Gragashi, policive kufitare nga të dy vendet e përfaqësuesve politikë, u krye ceremonia e djeshme. Kjo pikë do t’u shërbejë mëse 2 mijë banorëve të Borjes dhe fshatrave përreth, për të kaluar pa probleme kufirin. Banorët prej vitesh kishin nisur një sërë peticionesh në drejtim të autoriteteve më të larta, madje kishin bojkotuar dhe zgjedhjet e para 4 viteve. Të njëjtin vendim ata kishin paralajmëruar dhe për zgjedhjet e 28 qershorit. Pika e kalimit kufitar do të funksionojë në bazë të një orari që do të publikohet dhe kalimi i kufirit do të bëhet vetëm me pasaportë. Me përmirësimin e infrastrukturës pritet të kalojnë dhe automjetet. Deri tani, banorët zgjidhin kryesisht rrugën ilegale, duke përfunduar dhe në burg ose duke marrë gjoba nga policia e Kosovës. Për ta, kalimi nga dogana e Morinit, ishte një rrugë shumë e gjatë, ndonëse kishin kufirin shumë pranë. j.h